Ish-ambasadori amerikan William G. Walker u ka dërguar letra katër liderëve politikë në Kosovë, Albin Kurtit, Lumir Abdixhikut, Bedri Hamzës dhe Ardian Gjinit, duke u kërkuar që Faton “Tony” Bislimi të jetë emri për presidentin e ardhshëm të Kosovës. Në letrat e tij dërguar krerëve politik të cilat i ka siguruar Kanal10, Walker shpreh shqetësimin për bllokimin e procesit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës dhe argumenton se vendit i nevojitet një figurë me aftësi të veçanta, përvojë ndërkombëtare dhe përkushtim ndaj Kosovës.
Walker thotë se ka dëgjuar emrat e disa kandidatëve të mundshëm, por sipas vlerësimit të tij, Bislimi i posedon aftësitë përvojën dhe personalitetin që kërkohen për postin e presidentit.
“Në opinionin tim, ndër të gjithë emrat e mundshëm, Tony i posedon të gjitha aftësitë e nevojshme dhe personalitetin për të qenë një president i suksesshëm”, shkruan Walker. Ai përmend gjashtë karakteristika që, sipas tij, e bëjnë Bislimin të përshtatshëm për këtë pozitë: njohuritë për botën përtej Kosovës, formimin akademik, aftësitë gjuhësore, njohjen e thellë të historisë dhe proceseve politike të Kosovës, personalitetin dhe aftësinë për të qenë një kandidat konsensual.
Walker thekson veçanërisht se Kosova ka nevojë për një president që përfaqëson vendin në tërësi, e jo një parti apo një qëndrim të caktuar politik./BS










