Ka përfunduar edicioni i shtatë i Shkollës Verore të Shëndetit Publik “Lugano Summer School”, një iniciativë që synon avancimin e njohurive dhe kapaciteteve profesionale të profesionistëve shëndetësorë në Kosovë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), për të tretën herë radhazi, ishte nikoqir i kësaj shkolle, e cila zhvillohet në Lugano të Zvicrës. Përmes Qendrës së Trajnimit në Prishtinë (Prishtina HUB), profesionistëve shëndetësorë në Kosovë u mundësohet të përfitojnë nga njohuritë, përvojat dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e shëndetit publik.
Gjatë edicionit të sivjetshëm janë zhvilluar tri kurse, të cilat janë ndjekur nga gjithsej 25 profesionistë. Sipas IKShPK-së, pjesëmarrja në këto programe ka kontribuar në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe në shkëmbimin e përvojave në fushën e shëndetit publik.
Kjo iniciativë është realizuar me asistencë teknike dhe mbështetje nga projektet AQH dhe HIS, duke krijuar mundësi për zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe avancimin e ekspertizës shëndetësore në Kosovë.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës vlerëson se programe të tilla janë të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve të profesionistëve dhe për përafrimin e praktikave të shëndetit publik në Kosovë me standardet dhe përvojat ndërkombëtare, transmeton rtk.










