Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, Antero Lopes, të cilin e ka uruar për detyrën e re dhe i ka dëshiruar sukses në ushtrimin e mandatit. Kurti e ka falënderuar EULEX-in për kontributin e vazhdueshëm në Kosovë, në veçanti për monitorimin e sistemit të drejtësisë, mbështetjen për forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës.
Në takim është diskutuar për rëndësinë e vazhdimit të monitorimit të performancës së institucioneve të drejtësisë, si dhe për trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Kurti ka shprehur mirënjohje për kontributin dhe monitorimin e EULEX-it në këtë fushë, duke nënvizuar nevojën për reagim të shpejtë dhe të koordinuar ndërmjet Policisë, Prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse, me prioritet mbrojtjen e viktimave. Në takim është diskutuar edhe për situatën e sigurisë dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Kurti ka theksuar rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm, shkëmbimit të informatave dhe vëmendjes së shtuar ndaj rreziqeve të sigurisë, përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës kritike.
Ai ka rikonfirmuar përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e institucioneve të sundimit të ligjit dhe gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë dhe konstruktiv me EULEX-in gjatë mandatit të Lopes. /BS










