Presidentja në detyrë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në një takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik.
Siç mëson HelveticALForum.ch, gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, si dhe bashkëpunimi i ngushtë që ka karakterizuar vitet e fundit.
Presidentja në detyrë shprehu mirënjohjen e saj për angazhimin dhe kontributin e ambasadorit Sprecher në forcimin e lidhjeve dypalëshe, duke theksuar se Zvicra mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës.
“Sot prita në takim lamtumirës Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher. E falënderova për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij dhe për angazhimin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona. Kosova dhe Zvicra kanë lidhje të thella, të ndërtuara edhe nga breza të bashkatdhetarëve tanë që Zvicrën e kanë bërë shtëpinë e tyre të dytë”, u shpreh Haxhiu.
Ajo nënvizoi gjithashtu rolin e rëndësishëm që diaspora shqiptare në Zvicër ka luajtur në afrimin e dy vendeve, duke e cilësuar atë si një urë të fuqishme bashkëpunimi dhe miqësie.
Në përfundim të takimit, Haxhiu i uroi ambasadorit Sprecher suksese në detyrat e tij të ardhshme diplomatike.
“Ambasadorit Sprecher i urova suksese në angazhimet e ardhshme, me mirënjohje për kontributin dhe miqësinë e tij ndaj Kosovës”, deklaroi ajo.
Takimi konfirmoi edhe një herë partneritetin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, një marrëdhënie e ndërtuar mbi bashkëpunimin institucional, mbështetjen e vazhdueshme të shtetit helvetik dhe rolin e rëndësishëm të diasporës shqiptare, e cila prej dekadash ka forcuar lidhjet mes dy vendeve, transmeton helveticALForum.ch.




