Të dashur bashkatdhetarë,
Disa kantone të Zvicrës tashmë kanë filluar pushimet verore. Me këtë rast, nga zemra, në emrin tim personal, të Kryesisë dhe të të gjithë anëtarëve të Shoqatës Humanitare “Medvegja”, ju uroj rrugë të mbarë dhe pushime të këndshme në atdhe.
E di se këto pushime i keni pritur me padurim, pas një viti të gjatë pune e angazhimesh. Ju uroj që ditët e pushimit t’i kaloni pranë familjeve dhe të dashurve tuaj, me shëndet, gëzim e mbarësi.

Medvegjas të dashur, ju që do të udhëtoni drejt atdheut, mos e lini pa e vizituar Medvegjën. Shkoni, pini një gotë ujë në vendlindjen tuaj dhe shijoni bekimin e asaj toke të shenjtë, që na lidh me rrënjët, historinë dhe kujtimet tona. Çdo vizitë është një dëshmi e dashurisë dhe e përkushtimit ndaj vendlindjes.
Jam i vetëdijshëm se rruga nga Zvicra për në atdhe është e gjatë, veçanërisht për ata që udhëtojnë me automjetet e tyre. Prandaj ju lus që të bëni kujdes gjatë udhëtimit, të respektoni rregullat e komunikacionit dhe ta përshkoni rrugën pa asnjë problem.
Zoti ju bekoftë dhe ju ruajtë në çdo hap! Ju uroj udhëtim të sigurt, pushime të mbara dhe një kthim të shëndoshë pranë familjeve tuaja në Zvicër.
Me respekt,
Zenel Neziri, kryetar
Në emër të Kryesisë dhe anëtarëve të Shoqatës Humanitare “Medvegja”




