POSTIMET E FUNDIT

LAPSH “Naim Frashëri” në Cyrih nderon 19 nxënësit e diplomuar, festë e gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar

Nga Prof. Hamzë Morina, ish Kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “N. Frashëri” në Zvicër

LAPSH “N. Frashëri” – Zürich
Diplomimi i nxënësve – 2026

“Shkolla është institucioni ku fillon udhëtimi në rrugën e pafundme të diturisë”.

Sot, më 04 korrik 2026, LAPSH “N. Frashëri” në Zürich kishte Festë të veçantë. Në lokalet e “Rinora 4” në mënyrë solemne ju ndanë Diplomat (Certifikatat) nxënësve që përfunduan Mësimin plotësues të gjuhës dhe kulturës së origjinës. Për të përshëndetur këtë takim kishin ardhur Shukrije Ramadani zv. Ambasadore e Republikës së Kosovës në Bern dhe Vigan Berisha Konsull i përgjithshëm në Konsulatën e përgjithshme në Zürich. Në pamundësi për të qenë prezent në takim, Ambasadori i Maqedonisë së veriut këtë takim e kishte përshëndetur përmes telegramit, duke ju dëshiruar suksese të gjithë stafit mësimdhënës të LAPSH në Zürich, prindërve dhe veçanërisht nxënësve të diplomuar të cilëve u kishte uruar suksese të reja në vazhdimësi të shkollimit të tyre në Zvicër.

Prof. Naser Ulaj gjatë përshëndetjes

Takimin e hapi Kryetari i LAPSH të Zürichut Naser Ulaj i cili falenderoi mysafirët për pjesëmarrje, derisa nxënësve ju uroi suksese të mëtejme në shkollim, derisa kolegë/eve suksese në punën e palodhshme mbi 35 vjeçare dhe në vazhdimësi me gjeneratat e reja.. Meqë kishte rastisur që ky takim të mbahet me 4 Korrik, në 250 vjetorin e Festës së SHBA, uroi gjithë shqiptarët për respektin që kanë për aleatin e tyre madh, si shpëtimtar yni.

Takimin e përshëndeti Shukrije Ramadani në emër të Ambasadës derisa Konsulli Vigan Berisha kishte fjalë miradije për punën dhe sukseset e LAPSH dhe uroj fëmijët për suksese edhe më të mëdha në të ardhmen.

Po, momentet më emocionuese ishin ato kur fëmijët, me lule në duar, uruan mësimdhënësit e tyre dhe morën nga ta Dëftesat, si dëshmi të një pune të pandërprerë në mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë.

Secili në formën e vet shprehte gëzimin që po shpërbleheshin për kujdesin në mësimin e gjuhës së tyre të bukur, derisa prindërit ndiheshin krenarë që fëmijët e tyre kishin ruajtur dhe kultivuar në shkollën shqip gjënë më të shtrenjtë, gjuhën e nënës.

Mësueset e LAPSH-Cyrih

Dëftesat i shpërndau Naser Ulaj bashkë me mësimdhënësit. Ishte kulmi i gëzimit kur salla e gjërë e ” Rinora 4 ” u mbush plot me lule, libra dhe dëftesa si simbolikë e dijes dhe ardhmërisë së lumtur për këta fëmijë.

Lulzim Hasi dhe Hamzë Morina

E shoqëruar edhe me krenarinë e prindërve shqiptarë, të cilët kishin dhënë shumë për rriten e tyre, por më sublime dhe e madhërishme për ta ishte ajo që fëmijët e tyre po ruanin gjurmët e atdheut, gjuhën dhe kulturën e shenjtë shqiptare, një ndër pasuritë më të vlershme për ta.

Kështu mes gëzimit, këngëve dhe haresë u shpërndanë Dëftesa për 5 nxënës të Kryetarit dhe mësimdhënësit Naser Ulaj i cili pa rreshtur për më tepër se 3 dekada kultivoi te ta ndjenjën e atdhedashurisë dhe u mësoi gjuhën e nënës.

Pastaj morën dëftesa edhe 5 nxënës nga paralelet e mësimdhënëses Elfete Hasi e cila poashtu 3 dekada nuk ju nda mësimit të gjuhës me fëmijët shqiptarë.

Edhe 4 nxënësit e mësimdhënëses Afërdita Veliu dhe 4 nxënës të mësimdhënëses Sebahata Krasniqi morën dëftesat e merituara pas shumë viteve të suksesshme në mësimin e gjuhës shqipe në Kanton dhe në fund edhe 1 nxënës i paraleles së mësimdhënëses më të re Drilona Malokut mori dëftesë për përfundimin e shkollës në gjuhën shqipe.

Z.Berisha dhe z.Ulaj

Pasi u kënduan edhe dy këngë nga nxënësit e Naser Ulajt, së bashku mësimdhënës e nxënës bënë një Foto kujtim që do tu mbetet si dëshmi e një dite kur u respektua dhe u nderua puna e tyre e shëndrruar në sukses të lakmueshëm me dëshmi të çartë – Dëftesën përfundimtare.

Në takim ishin prezent edhe dy ish Kryetarët e LAPSH “N. Frashëri” në Zvicër Hamzë Morina dhe Nexhat Maloku, tashmë në pension, të cilët përcollën këtë ceremoni përmallshëm dhe krenarë e të lumtur që tradita po vazhdonte me sukses.

Fotot: Lulzim Hasi

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB