Edicioni i IV i “Gjurmëve të rrënjëve tona” – një festë e identitetit, kulturës dhe bashkimit shqiptar, Luzern, 27 qershor 2026
Luzern, 27 qershor 2026 – Në një atmosferë të mbushur me emocion, kulturë dhe krenari kombëtare, u mbajt me sukses edicioni i IV i manifestimit kulturor “Gjurmëve të rrënjëve tona”, i organizuar nga Misioni Katolik Shqiptar në Luzern në bashkëpunim me Shoqatën Humanitare Nënë Tereza në Zvicër. Ky manifestim, tashmë i kthyer në traditë, synon ruajtjen dhe forcimin e identitetit shqiptar në mërgatë, duke bashkuar breza, ide dhe vlera.

Pavarësisht vapës së madhe që mbizotëroi ditën e djeshme, pjesëmarrja ishte mbresëlënëse. Salla ishte e mbushur plot me bashkatdhetarë dhe mysafirë të shumtë, duke dëshmuar se lidhja me kulturën, traditën dhe rrënjët shqiptare mbetet e fortë dhe e gjallë.
Ky edicion mori një peshë të veçantë për shkak të pranisë së figurave të larta diplomatike dhe institucionale. Në mesin e të ftuarve ishin tre ambasadorët shqiptarë – përfaqësuesit diplomatikë të Republikës së Kosovës, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët me pjesëmarrjen e tyre dhanë mesazh uniteti dhe bashkimi kombëtar. Po ashtu, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të lartë të shtetit zviceran, të udhëhequr nga znj. Ylfete Fanaj, Drejtoreshë e Departamentit të Drejtësisë dhe Sigurisë dhe Zëvendëspresidente e Qeverisë së Kantonit të Luzernit, si dhe përfaqësues të politikës, bizneseve, jetës kulturore dhe aktivistë të shumtë të komunitetit shqiptar në Zvicër.
Mbrëmja nisi me moderimin profesional të Dani Morinës, i cili me elegancë dhe përkushtim udhëhoqi gjithë programin, duke krijuar një rrjedhë harmonike dhe dinamike të aktivitetit.
Në hapje, Shpejtim Krasniqi solli një pikë muzikore që krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese, duke i dhënë ngjarjes tonin e saj artistik që në fillim.
Fjalën e hapjes e mbajti Dr. Don Anton Uka, udhëheqës i Misionit Katolik Shqiptar në Luzern, i cili theksoi rëndësinë e këtij organizimi si një platformë për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës dhe traditave në mërgatë.
Më pas, fjala përshëndetëse nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Sh. T. Mentor Latifi, solli mesazhe të rëndësishme për unitetin, rolin e diasporës dhe përgjegjësinë e përbashkët për ruajtjen e trashëgimisë sonë.
Programi vazhdoi me një tjetër pikë muzikore nga Afërdita dhe Shpejtim Krasniqi, të cilët me interpretimet e tyre krijuan një lidhje të veçantë emocionale me publikun.

Një nga momentet qendrore të mbrëmjes ishte kumtesa tematike e Prof. Dr. Vehbi Miftarit, Ambasador i Republikës së Kosovës në Vatikan, me temën “Identiteti shqiptar në mërgatë: Mes rrënjëve dhe integrimit”. Ai solli një analizë të thellë mbi sfidat dhe mundësitë e ruajtjes së identitetit kombëtar në shoqëritë moderne.
Një dimension të fuqishëm artistik solli Xhevat Limani, i cili me interpretimin e tij skenik përcolli emocione të thella dhe dëshmoi fuqinë e artit si bartës i kujtesës dhe shpirtit kombëtar.
Po ashtu, Ermina Lekaj Përlaskaj, këshilltare e MPJ-së së Kroacisë, trajtoi temën “Roli i femrës shqiptare në mërgatë për ruajtjen e identitetit”, duke vënë në pah rëndësinë e gruas shqiptare si shtyllë e familjes dhe ruajtëse e traditës.

Një moment shumë domethënës ishte paraqitja artistike e Ejona Bytyqit dhe Elion Krasniqit, së bashku me fëmijët e Misionit, të cilët simbolizuan vazhdimësinë e kulturës dhe identitetit tek brezat e rinj.
Në kuadër të programit u bë edhe promovimi i librit “Misioni ynë për Atme e Fe” nga Prof. Musa Jupolli, kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, duke i dhënë aktivitetit një dimension të rëndësishëm letrar dhe historik.
Më pas, Ansambli Shqiponja Luzern solli një performancë artistike që ringjalli folklorin dhe trashëgiminë tonë kulturore, duke e bërë publikun pjesë të gjallë të kësaj atmosfere.
Një nga momentet më të ndjera ishte ndarja e mirënjohjeve nga Misioni Katolik Shqiptar në Luzern, si shenjë vlerësimi për personalitetet, aktivistët dhe kontribuuesit që me përkushtimin e tyre kanë ndihmuar në forcimin e komunitetit dhe ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë.
Fjala përmbyllëse nga Nue Zalli, kryetar i Shoqatës Humanitare Nënë Tereza në Zvicër, përmbylli pjesën zyrtare të aktivitetit me falënderime dhe mesazhe shprese për vazhdimësinë e këtij manifestimi.
Ngjarja u pasurua edhe me ekspozitën e pikturave, e cila solli dimension artistik e reflektues, si dhe me tavolinën e librave, ku u prezantuan vepra të ndryshme të autorëve shqiptarë në mërgatë.
Në fund, aktiviteti u mbyll me interpretime të këngëve shqipe dhe me një aperitiv të pasur, i cili krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku të pranishmit patën mundësinë të bashkëbisedojnë, të ndajnë përvoja dhe të forcojnë lidhjet mes tyre.
Edicioni i katërt i “Gjurmëve të rrënjëve tona” dëshmoi edhe një herë se mërgata shqiptare mbetet një forcë e gjallë e ruajtjes së identitetit, kulturës dhe traditës sonë. Kur diplomacia, arti, kultura, humanizmi dhe angazhimi qytetar bëhen bashkë, lindin ngjarje që jo vetëm kujtohen, por lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen kombëtare, transmeton Misioni Katolik Shqiptar në Luzern, përcjell helveticALForum.ch / Foto&Video: Martin Musaj & Gaspër Merturi




