POSTIMET E FUNDIT

Ansambli “Trojet” niset drejt SHBA-së për të përfaqësuar shqiptarët e Evropës në Festivalin “Lahuta” – Detroit 2026

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Kloten/Zvicër, 27 qershor, 2026 – Në një atmosferë plot emocione, krenari dhe ndjenja patriotike, Ansambli Kulturor “Trojet” ka përcjellë delegacionin e tij në Aeroportin e Cyrihut, nga ku valltarët, drejtuesit dhe përfaqësuesit e ansamblit morën rrugën drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Festivalin Shqiptar “Lahuta 2026”, që do të mbahet në Detroit. Ky festival konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të diasporës shqiptare, ndërsa këtë vit Ansambli “Trojet” do të ketë nderin të jetë i vetmi përfaqësues shqiptar nga Evropa, duke prezantuar me dinjitet traditat, vallet dhe kulturën kombëtare shqiptare para mijëra bashkatdhetarëve dhe artdashësve në Amerikë.

Screenshot

Delegacioni përbëhet nga 13 valltarë, 1 lahutar dhe 4 anëtarë të kryesisë dhe organizimit, të cilët do të përfaqësojnë me krenari kulturën shqiptare në këtë festival mbarëkombëtar.

Në ceremoninë e përcjelljes morën pjesë familjarë, miq, dashamirës të kulturës shqiptare dhe përfaqësues të ansamblit. Një moment tepër emocionues ishte shpalosja e flamurit kombëtar shqiptar, përkrah flamurit të Zvicrës dhe atij të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, simbol i lidhjes së fortë ndërmjet shqiptarëve kudo që jetojnë. Me fjalë të ngrohta dhe plot emocion, kryetari i Ansamblit “Trojet”, Zeqë Gashi, falënderoi valltarët për përkushtimin e tyre, prindërit për mbështetjen e vazhdueshme dhe donatorët që kanë bërë të mundur realizimin e këtij udhëtimi të rëndësishëm.

Ai theksoi se kjo pjesëmarrje është një përgjegjësi e madhe, por edhe një mundësi e jashtëzakonshme për të promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Në delegacion janë gjithashtu edhe lahutari Shaqir Dema – Baci SHAQ, anëtari i kryesisë Bubekir Morina dhe kostumografja Teuta Gashi, të cilët do të kontribuojnë në prezantimin sa më autentik të trashëgimisë sonë kulturore.

Valltarët që do të përfaqësojnë Ansamblin “Trojet” në Festivalin “Lahuta 2026” janë:

  • Blearta Shala
  • Marisa Murtezi
  • Alisa Lahu
  • Leotrim Gashi
  • Ensar Morina
  • Sovran Shala
  • Eriona Kryeziu
  • Betim Ajrizi
  • Donjeta Gashi
  • Edona Kurtishi
  • Shaqir Demaj-Baci Shaq
  • Bubekir Morina
  • Teuta Gashi
  • Zeqir Gashi
  • Kian Shala
  • Arik Shala
  • si dhe pjesa tjetër e ekipit artistik që përbën delegacionin prej 13 valltarësh.

Ky grup përfaqëson një brez të ri shqiptarësh me profesione dhe formime të ndryshme – nga mjekësia, pedagogjia dhe ekonomia, deri te menaxhimi, juridiku dhe shkencat biomjekësore – të bashkuar nga një pasion i përbashkët: ruajtja dhe promovimi i folklorit shqiptar.

Pjesëmarrja në Festivalin “Lahuta” synon:

  • të prezantojë kulturën shqiptare me dinjitet;
  • të forcojë lidhjet ndërmjet diasporës shqiptare në Evropë dhe SHBA;
  • të promovojë traditat, vallet dhe identitetin kombëtar;
  • të krijojë ura bashkëpunimi mes brezave të shqiptarëve në mërgatë.

Ansambli “Trojet” vazhdon të dëshmojë se kultura shqiptare nuk njeh kufij. Me punë, përkushtim dhe dashuri për traditën, këta të rinj do të jenë ambasadorë të denjë të kombit shqiptar në Detroit, duke përcjellë tek publiku amerikan dhe diaspora shqiptare bukurinë e folklorit, kostumeve kombëtare dhe vlerave që trashëgojmë brez pas brezi.

Udhëtim të mbarë dhe suksese Ansamblit “Trojet” në Festivalin Shqiptar “Lahuta 2026”!

( Foto Adi HEBIBI)

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB