POSTIMET E FUNDIT

Posta e Kosovës nderon 250-vjetorin e Pavarësisë së SHBA-së me pullë të veçantë postare

Prishtinë – Filatelia e Postës së Kosovës ka vënë në qarkullim një emision të jashtëzakonshëm të pullave postare kushtuar 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shënuar një nga jubileet më të rëndësishme në historinë amerikane.

Përmes këtij emisioni filatelik, Posta e Kosovës shpreh respektin dhe vlerësimin për shpalljen e pavarësisë së SHBA-së më 4 korrik 1776, një ngjarje historike që shënon fillimin e një rrugëtimi prej dy shekujsh e gjysmë të lirisë, demokracisë dhe zhvillimit.

Sipas njoftimit të Postës së Kosovës, emisioni është realizuar për të përkujtuar jo vetëm këtë datë historike, por edhe kontributin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara në promovimin e vlerave demokratike, paqes dhe stabilitetit në botë.

Në njoftim theksohet gjithashtu rëndësia e marrëdhënieve të veçanta ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat konsiderohen shembull i një partneriteti të fortë dhe miqësie të qëndrueshme.

Emisioni përbëhet nga një pullë postare me vlerë nominale prej 2.10 euro, e vendosur në një tabak të dizajnuar me katër pulla, si dhe nga Zarfi i Ditës së Parë. Ky i fundit, i shoqëruar me Vulën e Ditës së Parë, krijon një tërësi të veçantë filatelike për koleksionistët dhe dashamirët e filatelisë.

Me këtë emision, Posta e Kosovës i bashkohet kremtimeve ndërkombëtare të 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, duke nderuar idealet e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë që vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë në mbarë botën, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB