Përgatiti Dashnim HEBIBI
Fully, Zvicër, 20 qershor 2026 – Shoqata Humanitare “Medvegja”, me seli në Fully të Valais-it, organizoi mbrëmë koncertin e saj tradicional të 34-t, një manifestim tashmë i njohur jo vetëm në mesin e shqiptarëve në Zvicër, por edhe në qarqet shoqërore dhe institucionale zvicerane. Në këtë ngjarje madhështore morën pjesë mbi një mijë bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare, me një prani të veçantë të rinisë shqiptare. Për më shumë se tri dekada, Shoqata Humanitare “Medvegja” ka qenë ndër organizatat më aktive në mërgatën shqiptare, duke kontribuar në çështjen kombëtare, humanitare dhe kulturore. Veprimtaria e saj e pasur është dokumentuar edhe në monografinë e botuar vite më parë, ndërsa gjatë viteve shoqata është vizituar nga personalitete të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare.

Mysafiri i nderit në këtë manifestim ishte Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesia e Tij, Rexhep Demiri, i cili u prit me respekt të veçantë nga organizatorët dhe pjesëmarrësit. Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Shoqatës Humanitare “Medvegja”, Zenel Neziri, pasi falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre të madhe, u ndal veçanërisht te prania e ambasadorit Demiri.

“Për herë të parë një ambasador i Republikës së Maqedonisë së Veriut nga Berni zyrtar po e nderon Shoqatën Humanitare ‘Medvegja’ me praninë e tij. Ky është një nder i madh për ne dhe për gjithë veprimtarët tanë”, theksoi Neziri.
Me këtë rast, ambasadorit Rexhep Demiri iu nda një mirënjohje e veçantë për kontributin e tij në çështjen kombëtare, përkrahjen ndaj Luginës së Preshevës dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj veprimtarive të Shoqatës Humanitare “Medvegja”. Momenti i ndarjes së mirënjohjes ishte ndër më emocionuesit e mbrëmjes. Duke ia dorëzuar këtë vlerësim, Zenel Neziri, kryetar i shoqatës, tha se dëshira e veprimtarëve të shoqatës do të ishte që një mirënjohje e tillë të ndahej në Medvegjë, në vendlindje.

“Këtë mirënjohje do të donim ta ndanim në Medvegjë, por dihet situata në ato troje. Megjithatë, dije ambasador, se sot më shumë medvegjas jetojnë në Zvicër sesa në Medvegjë, por kurrë nuk do t’i harrojmë trojet tona”, u shpreh ai mes duartrokitjeve të të pranishmëve.
Nga ana e tij, ambasadori Demiri falënderoi shoqatën për vlerësimin e dhënë dhe për punën e saj shumëvjeçare në ruajtjen e identitetit kombëtar, duke përshëndetur bashkatdhetarët me një fjalë rasti që u prit ngrohtësisht nga publiku.

Koncerti tradicional i Shoqatës Humanitare “Medvegja” konsiderohet si një ndër ngjarjet më të veçanta të komunitetit shqiptar në Zvicër. Ai vlerësohet nga organizatorët dhe pjesëmarrësit si koncerti i vetëm i këtij lloji në Zvicër që organizohet në hapësirë të hapur dhe që mbledh mijëra bashkatdhetarë nga të gjitha trevat shqiptare. Për më shumë se tri dekada, ky manifestim ka ruajtur vazhdimësinë e tij, duke u shndërruar në një simbol të bashkimit, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar në mërgatë. Atmosfera festive, programi artistik dhe pjesëmarrja masive e bëjnë këtë koncert një ngjarje unike në kalendarin kulturor të shqiptarëve në Zvicër.

Koncerti u zhvillua në një atmosferë festive dhe vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit, duke u konsideruar si një nga manifestimet më të mëdha shqiptare në hapësirë të hapur në Zvicër. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe figura të njohura të jetës shoqërore dhe kombëtare, ndër ta PhD. Gjenis Haxhimuhamedi, sekretar në Ambasadën e Kosovës në Bernë, Florim Useini, kryetar i Rrjetit të Miqësisë, Shabi Matnjani, veprimtar nga Ilirida, Bekim Imeri, veprimtar i njohur, si dhe PhD. Dashnim Hebibi nga Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës”.

Me ambasadorin Rexhep Demiri, të rinjtë dhe të rejat që kanë lindur e po rriten në Zvicër e njëherit pjesë e Shoqërisë Kulturore-Artistike “Medvegja” realizuan fotografi kujtimi, duke shënuar kështu një moment të veçantë të kësaj mbrëmjeje festive
Mbrëmja konfirmoi edhe një herë rolin e rëndësishëm që Shoqata Humanitare “Medvegja” vazhdon të luajë në ruajtjen e identitetit kombëtar, forcimin e lidhjeve ndërmjet shqiptarëve në mërgatë dhe mbështetjen e kauzave kombëtare shqiptare. Së shpejti do të sjellim një reportazh më të detajuar për koncertin festiv, i cili zgjati deri në orët e para të mëngjesit dhe konsiderohet ndër manifestimet e rralla të këtij lloji në Zvicër që organizohen në qiell të hapur. Çfarë mesazhesh përcolli ambasadori Rexhep Demiri, çfarë thanë PhD. Gjenis Haxhimehmeti dhe PhD. Dashnim Hebibi, si dhe si u zhvillua në përgjithësi kjo mbrëmje madhështore, do t’i mësoni pas pak përmes reportazhit tonë të plotë. Ndërkohë, sot gjatë ditës po zhvillohet me sukses edhe Turniri Tradicional në Futboll të Vogël, i organizuar nga Shoqata Humanitare “Medvegja” në Zvicër, i cili po mbahet për herë të 34-të me radhë.

Foto nga Bashkim Kadriu




