Cyrih, 28 gusht, 2026 – Një stuhi e fuqishme me breshër ka shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe dhjetëra të lënduar në pjesë të ndryshme të kantonit të Cyrihut. Situata më e rënduar u paraqit në qytetin e Winterthurit dhe në komunat Seuzach e Neftenbach, ku shërbimet e emergjencës u përballën me një numër jashtëzakonisht të lartë të thirrjeve, transmeton 20min.ch. Sipas Schutz & Rettung Zürich, brenda vetëm 30 minutash qendra e koordinimit të emergjencave (ELZ) pranoi rreth 450 thirrje. Prej tyre, rreth 300 ishin të lidhura me ndërhyrje të zjarrfikësve, ndërsa më shumë se 150 kërkonin asistencë mjekësore. Nga këto thirrje u organizuan afro 100 ndërhyrje të shërbimit të shpëtimit dhe rreth 280 operacione të zjarrfikësve.
Winterthur ndër zonat më të prekura
Situata ishte veçanërisht e rëndë në pjesën veriore të qytetit të Winterthurit. Në një moment, ekipet e emergjencës duhej të koordinonin njëkohësisht deri në 20 ndërhyrje mjekësore, kryesisht për shkak të plagëve të shkaktuara nga goditjet e breshrit dhe rrëzimeve. Për të përballuar numrin e madh të rasteve, autoritetet u detyruan të aktivizonin ekipe dhe forca shtesë nga zona të tjera, më pak të prekura nga stuhia.
Rreth 40 të lënduar në shkolla
Edhe komunat Seuzach dhe Neftenbach u goditën rëndë. Sipas Policisë Kantonale të Cyrihut, pak para orës 10:30 u raportuan disa dëmtime në ndërtesa shkollore. Breshëri shkaktoi lëndime te rreth 40 persona, shumica prej tyre fëmijë. Disa prej të lënduarve u transportuan në spitale për trajtim mjekësor. Për të mbështetur nxënësit dhe klasat e prekura nga ngjarja, në terren u angazhua edhe Care Kanton Zürich, e cila ofroi mbështetje psikologjike dhe kujdes për personat e prekur.
Dëme të shumta në ndërtesa dhe automjete
Stuhia shkaktoi dëme të konsiderueshme edhe në infrastrukturë. Kokrrat e mëdha të breshrit thyen dritare dhe xhama automjetesh, ndërsa u dëmtuan fasada, çati dhe pjesë të tjera të ndërtesave. Edhe trafiku u prek nga moti ekstrem. Në autostradën A1, disa drejtues automjetesh u detyruan të ndalonin në korsinë e emergjencës, pasi xhamat e përparmë të automjeteve ishin dëmtuar aq shumë sa që vazhdimi i udhëtimit nuk ishte më i sigurt. Në zona të ndryshme pyjore dhe në pjesë të tjera të kantonit, pemë u rrëzuan dhe degë të mëdha ranë në rrugë e hapësira publike. Autoritetet dhe ekipet e emergjencës vazhduan ndërhyrjet për të përballuar pasojat e stuhisë dhe për të garantuar sigurinë e banorëve, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch.
Foto D. Hebibi










