POSTIMET E FUNDIT

Autoritetet zvicerane shpallin nivelin e rrezikut 4 për shkak të vapës ekstreme

Zvicra po përballet me një valë të fortë të nxehti, e cila ka detyruar autoritetet federale të lëshojnë paralajmërime të nivelit të lartë për disa rajone të vendit. Shërbimi Kombëtar Meteorologjik, MeteoSwiss, ka shpallur nivelin e rrezikut 4 nga 5, që konsiderohet si “rrezik i madh”, për zonat përreth Bazelit, ku temperaturat e larta pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, transmeton 20min.ch. Rajonet më të prekura nga kjo situatë janë Frick-Leibstadt, Rheinfelden, Oberes Baselbiet, Laufental dhe qyteti i Bazelit. Sipas meteorologëve, temperaturat e larta mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, veçanërisht tek të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.Ekspertët paralajmërojnë për një rrezik të shtuar të shqetësimeve të qarkullimit të gjakut, dehidratimit dhe lodhjes fizike. Për këtë arsye, q ytetarëve u rekomandohet të konsumojnë të paktën 1.5 litra ujë në ditë, duke shmangur pijet me sheqer dhe alkoolin. Gjithashtu këshillohet që të qëndrojnë në ambiente të freskëta, të shmangin ekspozimin e drejtpërdrejtë në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës dhe të përdorin veshje të lehta, kapele mbrojtëse dhe krem kundër rrezeve UV.

Autoritetet meteorologjike rekomandojnë gjithashtu mbajtjen e dritareve të mbyllura gjatë ditës dhe ajrosjen e banesave në orët e hershme të mëngjesit, kur temperaturat janë më të ulëta.

Ndërkohë, niveli i rrezikut 3, i cili nënkupton “rrezik të konsiderueshëm”, është shpallur për një pjesë të madhe të territorit zviceran. Paralajmërimi përfshin pothuajse të gjithë rajonin e Mittellandit, nga perëndimi në lindje të vendit, si dhe pjesë të kantoneve Valais dhe Ticino. Megjithëse situata në rajonin e Bazelit është përmirësuar pjesërisht krahasuar me ditët e mëparshme, meteorologët raportojnë se masa të paqëndrueshme ajrore po lëvizin drejt lindjes së vendit. Disa qendra me presion të ulët po kalojnë mbi kantonet Basel, Jura, Solothurn dhe Aargau, duke sjellë reshje lokale dhe stuhi të izoluara.

Sipas radarëve meteorologjikë, gjatë mbrëmjes priten reshje të përkohshme shiu në zonat e parapmaleve dhe në Zvicrën Qendrore. Megjithatë, në pjesën më të madhe të vendit kushtet atmosferike parashikohen të mbeten relativisht të qeta. Meteorologët vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin njoftimet zyrtare, pasi temperaturat e larta mund të vazhdojnë të ndikojnë në jetën e përditshme dhe shëndetin publik gjatë ditëve në vijim, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB