Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, Dr. Martin Berishaj, u takua sot me Kryetarin e Bashkisë së Bjelovarit, Dario Hrebak, me të cilin diskutoi për pozitën e komunitetit shqiptar në rajonin e Bjelovarit dhe mundësitë e forcimit të mbështetjes institucionale për aktivitetet e tyre kulturore, arsimore dhe shoqërore. Gjatë bisedës së përzemërt dhe përmbajtësore, vëmendje e veçantë iu kushtua rëndësisë së ruajtjes së identitetit kombëtar, gjuhës dhe trashëgimisë kulturore të shqiptarëve që jetojnë në Bjelovar dhe rrethinë. Bashkëbiseduesit theksuan se përfshirja aktive e pjesëtarëve të pakicave kombëtare në jetën shoqërore të komunitetit lokal përbën një kontribut të rëndësishëm në dialogun ndërkulturor, kohezionin shoqëror dhe zhvillimin e përgjithshëm të qytetit.

Ambasadori Berishaj e falënderoi Kryetarin Hrebak për gatishmërinë dhe hapjen ndaj bashkëpunimit, duke shprehur bindjen se Bashkia e Bjelovarit do të vazhdojë të ofrojë mbështetje institucionale për projektet që kontribuojnë në ruajtjen e identitetit dhe forcimin e pozitës së komunitetit shqiptar. Nga ana e tij, Kryetari Hrebak rikonfirmoi përkushtimin e Bashkisë së Bjelovarit për promovimin e vlerave të multikulturalizmit, respektit të ndërsjellë dhe barazisë së të gjithë qytetarëve, duke theksuar se komuniteti shqiptar përbën një pjesë të rëndësishme dhe të çmuar të jetës shoqërore të qytetit. Në takim u shpreh gjithashtu gatishmëria për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Bashkisë së Bjelovarit përmes iniciativave kulturore, arsimore dhe ekonomike me interes të përbashkët, transmeton Ambasada e Kosovës në Zagreb, përcjell helveticALForum.ch.




