SHBA dhe Irani kanë arritur sipas Pakistanit një marrëveshje. “Ne mund të konfirmojmë se është arritur një tekst përfundimtar i marrëveshjes së paqes, i koordinuar dhe i miratuar nga të gjitha palët”, shkroi kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, në platformën X.
“Pakistani po punon tani ngushtë me të dyja palët për të finalizuar hapat e ardhshëm. Paqja nuk ka qenë kurrë kaq e prekshme se sa tani”, shtoi ai.
Sipas një zyrtari të qeverisë amerikane në Uashington, Shtetet e Bashkuara mendojnë se mundësia që në ditët e ardhshme të nënshkruhet një marrëveshje paqeje me Iranin është 80 deri në 85 për qind. Megjithatë aktualisht nuk bëhet fjalë për një marrëveshje paqeje përfundimtare, por për një deklaratë në cilën shprehet synimi dhe përcaktohet mënyra, se si palët do të vazhdojnë negociatat gjatë 60 ditëve të ardhshme. “Se çfarë përbën kjo deklaratë për negociatat reale, kjo është një çështje krejt tjetër”, tha zyrtari.
Lufta, të cilën në SHBA praktikisht nuk e dëshiron askush, si dhe rritja e inflacionit, që aktualisht ndodhet në nivelin 4,2 për qind, kanë bërë që kjo çështje të jetë tema kryesore në Shtëpinë e Bardhë.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghhchi, deklaroi në televizionin shtetëror se deklarata e përbashkët me Shtetet e Bashkuara ende nuk është nënshkruar dhe se mund të ketë ende ndryshime në tekst.
Sipas tij, parashikohet përfundimi i luftës në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin. Pjesë e marrëveshjes do të jetë gjithashtu edhe heqja e bllokadës amerikane ndaj Iranit dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit.
Çështjet që lidhen me programin bërthamor iranian do të trajtohen në një fazë të mëvonshme. Araghchi shtoi se Irani është fituesi i luftës me SHBA-në dhe se vendi del nga ky konflikt më i fortë se më parë.
Ndërkohë, sipas agjencisë së lajmeve AP, një zyrtar i lartë amerikan ka deklaruar se marrëveshja “paraprake” përfshin dispozita për heqjen dhe shkatërrimin e materialeve bërthamore në Iran, transmeton abcnewsal.




