Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në një takim studentë ndërkombëtarë të ETH Zürich, nga 15 vende të ndryshme të botës, të shoqëruar nga Hana Syla. Takimi u zhvillua në një frymë interaktive, ndërsa diskutimet u përqendruan tek Kosova dhe e ardhmja euro-atlantike, përkatësisht synimet dhe angazhimi për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe në NATO. Rritja ekonomike, sundimi i ligjit dhe përparimi demokratik i Republikës së Kosovës, ishin po ashtu në mesin e temave që u diskutuan krahas edhe hovit zhvillimor në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe shërbimeve.
Me këtë rast, kryeministri Kurti theksoi se ky sektor përbën 6% të Bruto Produktit Vendor. Duke përmendur planet e Qeverisë për ndërtimin e TECH kullës dhe investime tjera, ai shtoi se me rininë, shumica e të cilëve flasin së paku një gjuhë të huaj, Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e mëtejmë të këtij sektori./BS




