POSTIMET E FUNDIT

Mbyllja festive e vitit shkollor 2025–2026 në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë” – Philadelphia

“Bijtë e Shqipes”

Një festë e gjuhës, kulturës dhe krenarisë se historise shqiptare. Në një atmosferë të mbushur me emocione, krenari dhe dashuri për gjuhën amtare, ditën e diel, më 7 qershor 2026, Shkolla Shqipe “Gjuha Jonë” pranë Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia organizoi ceremoninë festive të mbylljes së vitit shkollor 2025–2026 – një ditë e veçantë që bashkoi nxënës, prindër, gjyshër, familjarë dhe anëtarë të komunitetit shqiptar në një festë të bukur të identitetit tonë kombëtar. Që në hyrje të sallës ndihej atmosfera festive. Skena ishte shndërruar në një tablo të bukur shqiptarie, falë talentit dhe kreativitetit të zonjës Erina Hasa, e cila kishte krijuar një dekor të veçantë e plot domethënie, ku spikaste madhështor flamuri ynë kombëtar – simboli që bashkon zemrat shqiptare kudo në botë. Muzika e përzgjedhur me kujdes nga DJ Bruno mirëpriste të pranishmit me ritme plot energji, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive gjatë gjithë aktivitetit.

Pas çdo performance fshihej puna e palodhur dhe përkushtimi i mësueseve të shkollës – zonjave Irini Zenelaj, Afërdita Muzhaqi, Mimoza Sotiri, Raimonda Bardhi dhe Rudina Bani – të cilat për javë të tëra punuan me dashuri dhe profesionalizëm me nxënësit për të sjellë në skenë një program artistik të pasur me këngë, valle, recitime dhe interpretime në gjuhën shqipe.

Këngët dhe recitimet, të interpretuara me shumë ndjenjë nga nxënësit, përcollën pafajësinë, talentin dhe shpirtin e bukur të fëmijëve tanë. Tingujt e këngëve shqiptare zgjuan shqiptarinë e ruajtur në zemrat e tyre, ndërsa recitimet sollën emocione të veçanta, duke shprehur krenarinë, dashurinë dhe mirënjohjen për gjuhën, kulturën dhe rrënjët tona. Mesazhet humane e falënderuese prekën zemrat e të pranishmëve, ndërsa kërcimet moderne mbushën sallën me energji, buzëqeshje dhe duartrokitje, duke e kthyer skenën në një festë të vërtetë.

Programi artistik u prezantua me shumë hijeshi nga dy nxënës të klasës së katërt, Amelia Prifti dhe Frenki Tolumbi, të cilët, me natyrshmëri dhe vetëbesim, udhëhoqën aktivitetin me krenari shqiptare dhe emocion të veçantë. Një nga çastet më prekëse dhe solemne të aktivitetit ishte ngritja e flamurit kombëtar nga dy flamurtarët e vitit shkollor, Harper Kolici dhe James Hoxha – nxënës shembullorë që për katër vite kanë ndjekur me përkushtim shkollën shqipe. Në tingujt e Himnit Kombëtar, të kënduar nga të gjithë të pranishmit, salla u mbush me emocion, krenari dhe dashuri për atdheun e rrënjët shqiptare.

Në emër të kryesisë së Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, të pranishmit i përshëndeti Nënkryetari i Shoqatës, z. Mexhit Koboci, i cili vlerësoi punën e mësuesve, sakrificën e prindërve dhe rëndësinë e jashtëzakonshme të ruajtjes së gjuhës shqipe tek brezat e rinj që rriten larg atdheut.

Një mirënjohje e veçantë iu shpreh edhe prindërve që kontribuuan për ta bërë këtë ditë edhe më të bukur. Znj. Elda Janji, me shumë bujari, solli tortën festive të aktivitetit, ndërsa znj. Nertila Gegolli-Hoxha kontribuoi me pretzels dhe tollumba nga Anila’s Kitchen për të gjithë fëmijët, duke shtuar ëmbëlsi dhe buzëqeshje në festën tonë.

Falënderime të veçanta shkojnë edhe për fotografin Armir Koka, i cili, me profesionalizëm dhe pasion, fiksoi në fotografi emocionet më të bukura të kësaj dite, duke krijuar kujtime të çmuara që do të mbeten gjatë në zemrat e nxënësve, familjeve dhe komunitetit tonë.

Një nga momentet më emocionuese të ceremonisë ishte përshëndetja e nxënësve të klasës së pestë, të cilët përfunduan me sukses rrugëtimin e tyre në Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm të lidhjes së tyre me gjuhën amtare.

Me krenari të veçantë u përgëzuan nxënësit e diplomuar të vitit shkollor 2025–2026: Alen Janji, Aiden Zebib, Luis Bajlas, Sara Tabaku, Dion Brami, Daren Zeneli, Aiden Zela, Emma Pajollari, Anna Maria Plaku dhe Doel Beqollari.

Këta nxënës, gjatë viteve të shkollimit në gjuhën shqipe, jo vetëm mësuan të lexojnë e të shkruajnë në gjuhën e prindërve të tyre, por forcuan lidhjen me kulturën, traditat dhe identitetin shqiptar. Ata janë dëshmia më e bukur se gjuha shqipe jeton e trashëgohet me dashuri edhe larg trojeve tona.

Në shenjë respekti dhe vlerësimi, Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Bijtë e Shqipes” nderoi me Certifikatë Mirënjohjeje prindërit e nxënësve të klasës së pestë për përkushtimin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj shkollës shqipe dhe ruajtjes së identitetit kombëtar tek brezat e rinj.

Festa vijoi më tej mes muzikës, pica, pijeve, këngëve dhe valleve, duke sjellë buzëqeshje, gëzim dhe momente të paharrueshme për të gjithë të pranishmit.

Një falënderim i përzemërt për mësuesit, prindërit, vullnetarët dhe çdo mbështetës që kontribuon në këtë mision fisnik – ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë.

Urime të gjithë nxënësve për përfundimin me sukses të vitit shkollor 2025–2026! Pushime të mbara dhe shihemi sërish në shtator, me edhe më shumë dashuri për gjuhën tonë të bukur shqipe – gjuhën e zemrës sonë. /GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB