Prishtinë – Procesi i verifikimit të pakove me fletëvotime të ardhura përmes postës nga qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ndërsa deri më tani janë aprovuar mbi 7 mijë pako.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri të martën në orën 10:00 janë shqyrtuar gjithsej 7,295 pako të supozuara me fletëvotime. Nga to, 7,153 janë aprovuar për procedurat e mëtejshme të numërimit, ndërsa 142 janë refuzuar.
Sipas Elezit, arsyeja kryesore e refuzimit të pakove ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument i domosdoshëm që përmban të dhëna unike identifikuese dhe që u dërgohet votuesve të regjistruar për votim me postë. Vetëm për këtë arsye janë refuzuar 114 pako.
Ai theksoi se pas përfundimit të procesit të verifikimit, KQZ-ja do të publikojë numrin përfundimtar të pakove që do t’i nënshtrohen numërimit në QNR.
Ndërkohë, më 8 qershor është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime nga votuesit jashtë vendit. Sipas KQZ-së, pakot janë mbledhur nga 23 kuti postare të vendosura në 22 shtete të ndryshme, si dhe nga Kosova, transmeton rtk.
Të dhënat zyrtare tregojnë se nga këto kuti janë tërhequr mbi 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat aktualisht po transportohen dhe verifikohen në Kosovë.
Për zgjedhjet e parakohshme, gjithsej 104,480 qytetarë janë regjistruar për të votuar përmes postës, ndërsa më shumë se 20 mijë të tjerë kanë ushtruar të drejtën e votës në përfaqësitë diplomatike të Kosovës në vende të ndryshme të botës.
Procesi i votimit nga diaspora konsiderohet një element i rëndësishëm i pjesëmarrjes demokratike, duke mundësuar përfshirjen e mijëra qytetarëve të Kosovës që jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit.




