Prishtinë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë riafirmuar mbështetjen për përpjekjet e Kosovës në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe rritjen e sigurisë energjetike, duke e vlerësuar gazin e lëngshëm natyror (LNG) si një alternativë me potencial për të ardhmen energjetike të vendit.
Kjo u theksua gjatë diskutimit të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me temën “Shfrytëzimi i LNG-së Amerikane për Sigurinë Energjetike dhe Përafrimin Strategjik të Kosovës”, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe sektorit energjetik.
Zëvendësndihmësi i Sekretarit në Departamentin Amerikan të Energjisë, Dan Byers, deklaroi se siguria energjetike mbetet një komponent thelbësor i sigurisë kombëtare dhe i zhvillimit ekonomik. Ai vlerësoi rolin që thëngjilli vazhdon të ketë në sistemin energjetik të Kosovës, por theksoi se LNG-ja mund të bëhet një pjesë e rëndësishme e miksit energjetik në të ardhmen, veçanërisht përballë rritjes së kërkesës për energji.
Byers nënvizoi se SHBA-ja është prodhuesi më i madh në botë i gazit natyror dhe se kapacitetet amerikane për eksportin e LNG-së pritet të rriten ndjeshëm në vitet e ardhshme. Sipas tij, aktualisht Shtetet e Bashkuara mbulojnë rreth 60 për qind të importeve evropiane të LNG-së, duke kontribuar në furnizime më të sigurta dhe më të diversifikuara për aleatët evropianë.
Ai theksoi se zhvillimi i infrastrukturës energjetike është vendimtar për realizimin e këtyre objektivave. Në këtë drejtim, Byers përmendi rëndësinë e ndërlidhjeve rajonale dhe krijimit të korridoreve energjetike që do t’i mundësonin Kosovës qasje në tregjet e LNG-së.
Përfaqësuesi amerikan shprehu gjithashtu gatishmërinë e Departamentit të Energjisë së SHBA-së për të mbështetur projekte infrastrukturore dhe iniciativa rajonale që synojnë forcimin e sigurisë energjetike në Evropën Juglindore.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Byers theksoi se planifikimi afatgjatë, studimet e fizibilitetit, investimet strategjike dhe diplomacia energjetike janë faktorë kyç për përgatitjen e Kosovës në shfrytëzimin e mundësive që ofron LNG-ja.
Ai riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën përmes ekspertizës teknike, ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe bashkëpunimit strategjik në sektorin e energjisë, duke e cilësuar sigurinë energjetike si një nga shtyllat kryesore të zhvillimit dhe stabilitetit afatgjatë të vendit, transmeton rtk.




