Bernë – Ndërsa autoritetet kroate po paralajmërojnë turistët për një shpërthim të madh të rriqrave në ishullin Vir pranë Zarës, ekspertët zviceranë theksojnë se edhe Zvicra po përballet me një rrezik në rritje nga këta parazitë. Ndryshimet klimatike kanë bërë që sezoni i rriqrave të fillojë më herët dhe të zgjasë më shumë se kurrë më parë, duke rritur mundësinë e infeksioneve të rrezikshme, transmeton 20min.ch. Sipas specialistëve, rriqra më e përhapur në Zvicër mbetet “Holzbock”-u i zakonshëm, i cili mund të transmetojë sëmundje si meningoencefaliti i verës (FSME) dhe borrelioza. Megjithatë, shqetësim në rritje paraqet edhe përhapja e rriqrës Hyalomma, një specie që deri para pak vitesh konsiderohej e rrallë në vend. Kjo rriqër mund të bartë sëmundje serioze, përfshirë ethet hemorragjike Krime-Kongo, një infeksion që deri më tani është shfaqur shumë rrallë në Zvicër.
Rajonet me rrezik më të lartë
Ekspertët paralajmërojnë se rreziku i pickimit nga rriqrat është veçanërisht i lartë në rajone si Jura, Emmentali, Toggenburgu dhe pjesë të Oberlandit të Cyrihut. Në këto zona, kushtet klimatike dhe mjedisore favorizojnë mbijetesën dhe shumimin e tyre. Nga ana tjetër, rreziku konsiderohet më i ulët në pjesë të caktuara të Mittelland-it dhe në rajonet malore me lartësi më të mëdha, ku temperaturat më të ftohta kufizojnë aktivitetin e rriqrave.
Sezoni nuk ka më kufij të qartë
Werner Tischhauser, nënkryetar i Lidhjes Zvicerane për Personat e Prekur nga Sëmundjet e Rriqrave, ka theksuar se modeli tradicional i sezonit të rriqrave tashmë nuk ekziston. Dikur aktiviteti i tyre fillonte në mars dhe përfundonte në tetor, por sot situata ka ndryshuar ndjeshëm.
“Varësisht nga rajoni dhe kushtet atmosferike, rriqrat mund të jenë aktive që në janar dhe të vazhdojnë deri në fund të nëntorit,” ka deklaruar ai. Sipas ekspertëve, kjo është një pasojë e drejtpërdrejtë e temperaturave më të larta dhe dimrave më të butë, të lidhura me ndryshimet klimatike.
Rekord i rasteve të FSME-së
Shqetësuese mbetet edhe rritja e numrit të infeksioneve me FSME. Gjatë vitit 2025, në Zvicër u regjistruan më shumë se 500 raste të rënda të kësaj sëmundjeje, duke shënuar një rekord negativ historik. FSME mund të shkaktojë inflamacion të cipave të trurit dhe të sistemit nervor qendror. Edhe pse në 70 deri 90 për qind të rasteve infeksioni kalon pa simptoma ose me shenja të lehta, në rastet kur preket sistemi nervor mund të mbeten pasoja afatgjata neurologjike. Ekspertët theksojnë se rritja e numrit të rasteve nuk lidhet vetëm me faktorët klimatikë, por edhe me ndryshimet në stilin e jetesës. Gjithnjë e më shumë qytetarë kalojnë kohën e lirë në natyrë, duke bërë ecje malore, vrapim, golf, kopshtari apo mbledhje kërpudhash, aktivitete që rrisin kontaktin me habitatet ku jetojnë rriqrat.
Si të mbrohemi?
Mjekët dhe specialistët e shëndetit publik rekomandojnë vaksinimin kundër FSME-së si masën më efektive parandaluese. Përveç kësaj, këshillohet veshja e rrobave të gjata dhe me ngjyra të çelëta gjatë aktiviteteve në natyrë, përdorimi i spërkatësve kundër insekteve dhe kontrolli i rregullt i trupit pas qëndrimit në pyje, livadhe apo zona me bar të lartë. Ekspertët rekomandojnë që gjatë shëtitjeve të gjata në natyrë të bëhen kontrolle të shpejta të lëkurës dhe, pas kthimit në shtëpi, të kontrollohet me kujdes i gjithë trupi. Në rast se konstatohet një rriqër, ajo duhet të hiqet sa më shpejt të jetë e mundur me një piskatore të hollë ose me kujdes edhe me thonjtë e gishtave. Pas largimit të rriqrës, vendi i pickimit duhet të dezinfektohet dhe të monitorohet për disa javë. Shenja si skuqja rrethore e lëkurës, temperaturë, lodhje ose simptoma të ngjashme me gripin mund të tregojnë një infeksion me borreliozë ose FSME dhe kërkojnë konsultim të menjëhershëm me mjekun. Ndërsa temperaturat vazhdojnë të rriten dhe stinët po ndryshojnë, ekspertët paralajmërojnë se rriqrat do të mbeten një sfidë gjithnjë e më e madhe për shëndetin publik në Zvicër. Prandaj, vigjilenca dhe masat parandaluese mbeten mbrojtja më e mirë kundër rreziqeve që ato paraqesin, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.




