POSTIMET E FUNDIT

Mbi kufijtë Gjeografikë: Bizneset Shqiptare Ndërtojnë Ura Bashkëpunimi në Zvicër

Të shtunën, më 13 qershor 2026, Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare në bashkëorganizim me Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore do të organizojnë një nga ngjarjet më të rëndësishme të komunitetit ekonomik shqiptar në diasporë, duke mbledhur në Lucernë të Zvicrës përfaqësues të bizneseve shqiptare nga Zvicra, diaspora dhe trojet shqiptare. Ky takim biznesor, siç njofton helveticALForum.ch i shoqëruar me panair dhe aktivitete networking-u, synon të krijojë ura të reja bashkëpunimi dhe të forcojë lidhjet ekonomike ndërmjet sipërmarrësve shqiptarë në tregjet ndërkombëtare. Ngjarja do të zhvillohet në qytetin e Kriensit, pranë Lucernës, dhe pritet të mbledhë dhjetëra kompani, profesionistë dhe investitorë shqiptarë që operojnë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Organizatorët e konsiderojnë këtë aktivitet si një platformë strategjike për promovimin e biznesit shqiptar, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe krijimin e partneriteteve të reja afatgjata. Sipas organizatorëve, takimi është konceptuar si një hapësirë e hapur për dialog, bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik, ku pjesëmarrësit do të kenë mundësi të prezantojnë aktivitetin e tyre, të identifikojnë partnerë potencialë dhe të eksplorojnë mundësi konkrete investimi e bashkëpunimi.

Programi i ditës do të nisë në orën 10:00 me sesione networking-u dhe takime B2B ndërmjet bizneseve shqiptare nga Zvicra, diaspora dhe trojet shqiptare. Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit do të jetë panairi biznesor, ku kompanitë pjesëmarrëse do të prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre para një audience të gjerë profesionistësh dhe sipërmarrësish.

Panairi synon të krijojë kontakte të drejtpërdrejta ndërmjet bizneseve, të promovojë inovacionin dhe të nxisë bashkëpunimin ekonomik ndërshqiptar në një kohë kur roli i diasporës në zhvillimin ekonomik të vendeve shqiptare po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Në mbrëmje, duke filluar nga ora 19:00, do të organizohet një darkë solemne, e cila do të shërbejë si një mundësi shtesë për rrjetëzim, njohje reciproke dhe forcim të marrëdhënieve profesionale mes pjesëmarrësve. Atmosfera festive dhe prania e përfaqësuesve të biznesit nga vende të ndryshme pritet ta shndërrojnë këtë mbrëmje në një moment të veçantë të komunitetit ekonomik shqiptar. Organizatorët theksojnë se fuqizimi i rrjeteve të biznesit shqiptar në diasporë është një element kyç për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, transferimin e njohurive dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim. Përmes aktiviteteve të tilla, Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare synon të ndërtojë një komunitet të qëndrueshëm ekonomik që lidh sipërmarrësit shqiptarë kudo që ata veprojnë.

Lokacioni i eventit:
Stadtverwaltung Kriens
Stadtplatz 1
CH-6010 Kriens, Zvicër

Kjo ngjarje bashkorganizohet nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare dhe Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qendrore, ku është edhe degë e Rrjetit Global, nën drejtimin e kryetarit Visar Robelli.

Të interesuarit mund të regjistrohen përmes formularit të publikur nga organizatorët dhe të bëhen pjesë e një prej takimeve më të rëndësishme të biznesit shqiptar në Zvicër gjatë vitit 2026, transmeton rrjeti, përcjell helveticALForum.ch.

Formulari i regjistrimit gjendet më poshtë;

https://www.rrjeti.org/panair-b2b-lucerne-2026

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB