SHKODËR – Në ambientet e Bibliotekës Shkencore të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” u zhvillua një takim letrar kushtuar poetes së njohur Rozafa Shpuza, e cila prezantoi para studentëve, pedagogëve dhe dashamirësve të letërsisë vëllimin e saj më të ri poetik, “Vetimat e shuejnë inatin n’Bunë”.
Aktiviteti u organizua nga klubet studentore “Ernest Koliqi” dhe “Arshi Pipa” të Fakultetit të Shkencave Shoqërore, në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhësisë dhe Departamentin e Letërsisë, duke krijuar një hapësirë të veçantë dialogu mbi poezinë, frymëzimin dhe rrugëtimin krijues të autores.
Në këtë takim morën pjesë edhe pedagoget doc. Bora Logu dhe dr. Ermira Alija, të cilat sollën vlerësime dhe analiza mbi universin poetik të Rozafa Shpuzës, veçantitë e stilit të saj krijues dhe kontributin që ajo jep në letërsinë bashkëkohore shqipe.
Gjatë aktivitetit, të pranishmit patën mundësinë të dëgjonin recitime nga krijimtaria e autores, të ndanin përshtypjet e tyre për librin dhe të zhvillonin një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me poeten në një atmosferë të ngrohtë kulturore dhe akademike.
Interesimi i madh i studentëve, pedagogëve dhe qytetarëve të Shkodrës dëshmoi edhe një herë rëndësinë që vazhdon të ketë fjala poetike në jetën kulturore të qytetit. Takimi u shndërrua në një festë të vërtetë të librit dhe letërsisë, duke forcuar lidhjen mes autorit dhe lexuesit përmes dialogut dhe artit të fjalës, transmeton Biblioteka Shkencore e Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkoder, përcjell helveticALForum.ch.




