Sot kishim kënaqësinë dhe nderin e veçantë që, në kuadër të ciklit tonë “Një pasdite me…”, të mirëprisnim Shkëlqesinë e Tij, z. Mentor Latifi, Ambasador i Republikës së Kosovës në Bern. Ambasadori Latifi u prit në mënyrë tradicionale shqiptare, me bukë, kripë e zemër, për të vazhduar më pas me prezantimin e lokaleve dhe veprimtarisë së Shoqatës “Sharri”. Ashtu siç ishte paraparë, në ora 14:00 filloi programi sipas planit. Tubimin e hapi koreografi i Shoqatës sonë, Kreshnik Sadikaj, i cili pasi përshëndeti Ambasadorin dhe të gjithë të pranishmit, ftoi anëtarin e Kryesisë, Islam Sadiki, për një fjalë rasti.
Në fjalën e tij, Islami theksoi se Shoqata “Sharri” ka filluar një traditë të re përmes ciklit “Një pasdite me…”, duke sjellë pranë komunitetit personalitete të shquara të jetës kombëtare dhe diasporike. Ai foli për rëndësinë e ruajtjes së identitetit, gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare në diasporë, si dhe prezantoi aktivitetet dhe sukseset e Shoqatës ndër vite. Me krenari u theksua se Shoqata “Sharri”, e themeluar në vitin 2008, numëron mbi 180 anëtarë dhe mbi 85 valltarë të ndarë në tri grupe, duke zhvilluar aktivitete të shumta kulturore, artistike dhe kombëtare gjatë gjithë vitit. Pas fjalës së nikoqirit, fjalën e mori Ambasadori Mentor Latifi, i cili falënderoi përzemërsisht Shoqatën “Sharri” për pritjen madhështore dhe respektin e treguar. Një falënderim të veçantë ia kushtoi Islam Sadikit për ftesën dhe Kryetarit Veton Sermaxhaj për mikpritjen e ngrohtë. Në fjalimin e tij, Ambasadori tha se anëtarët e Shoqatës “Sharri” janë ambasadorët më të mirë të Republikës së Kosovës, sepse puna, angazhimi dhe përkushtimi i tyre e bëjnë Kosovën krenare kudo që ndodhen.

Ai vlerësoi veçanërisht numrin e madh të familjeve dhe fëmijëve që ndjekin vallëzimin tradicional shqiptar, duke theksuar se është frymëzuese të shohësh të rinj të lindur e të rritur në Zvicër, të cilët me dëshirë dhe krenari vazhdojnë rrugën e prindërve të tyre në ruajtjen e kulturës dhe traditës shqiptare.
“Zemra më bëhet mal kur shoh një lokal të tillë, të mbushur me fotografi, histori, traditë dhe dashuri për atdheun. Kjo dëshmon se diaspora jonë nuk e ka harruar rrënjën dhe identitetin e saj”, u shpreh ndër të tjera Ambasadori Latifi. Programi vazhdoi me valle të përgatitura nga grupet e Shoqatës “Sharri”, të cilat u duartrokitën ngrohtësisht nga të pranishmit. Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për vizitën dhe mbështetjen e tij ndaj komunitetit shqiptar në Zvicër, Shoqata “Sharri” i ndau Ambasadorit Mentor Latifi një Mirënjohje të veçantë. Takimi përfundoi në atmosferë të ngrohtë vëllazërore pranë Sofrës së Sharrit, ku të pranishmit patën mundësinë të bashkëbisedonin lirshëm me Ambasadorin. Shoqata “Sharri” e falënderon nga zemra Ambasadorin Mentor Latifi për kohën, përkushtimin dhe respektin që tregoi ndaj komunitetit tonë dhe i uron suksese të mëtejshme në misionin e tij diplomatik.
Mirë se vini gjithmonë në familjen e madhe të Shoqatës “Sharri”!, transmeton Shoqata Sharri, përcjell helveticALForum.ch.




