Ushtria e Zvicrës ka bërë të ditur një plan ambicioz për të investuar rreth 850 milionë franga gjatë 12 viteve të ardhshme në zhvillimin e kapaciteteve hapësinore, duke e konsideruar hapësirën një element gjithnjë e më të rëndësishëm për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare, transmeton 20min.ch. Sipas autoriteteve zvicerane, investimet do të fokusohen në ndërtimin e aftësive moderne për mbledhjen e informacionit, telekomunikacionin, navigimin preciz dhe monitorimin strategjik. Projekti parashikon gjithashtu bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë Evropiane të Hapësirës (ESA), si dhe me shtete partnere si Gjermania, Austria dhe Luksemburgu. Komandanti i Qendrës së Kompetencës për Hapësirën, Ludovic Monnerat, deklaroi për mediat zvicerane se rëndësia e hapësirës për mbrojtjen moderne po rritet vazhdimisht. Sipas tij, teknologjitë hapësinore do t’i japin Zvicrës më shumë rezistencë dhe siguri përballë krizave apo kërcënimeve të mundshme.
“Koncepti i përgjithshëm për hapësirën”, i miratuar nga Këshilli Federal në vitin 2025, synon ndërtimin e kapaciteteve të bazuara në hapësirë, përfshirë gjurmimin e situatave, mbledhjen e informacionit, telekomunikacionin dhe navigimin e saktë.
Monnerat theksoi se Zvicra ka nevojë për një bërthamë të pavarur të aftësive strategjike, sidomos në fushën e komunikimit dhe inteligjencës. Megjithatë, ai shtoi se këto kapacitete do të plotësohen përmes bashkëpunimeve ushtarake, civile dhe komerciale me partnerët ndërkombëtarë. Një pjesë e rëndësishme e projektit do të realizohet në bashkëpunim me ESA-n, ku synohet krijimi i një rrjeti të përbashkët satelitësh dhe stacionesh tokësore. Qëllimi kryesor është ndarja e burimeve dhe ulja e kostove, duke garantuar njëkohësisht efikasitet më të madh operacional. Megjithatë, autoritetet zvicerane kanë theksuar se bashkëpunimi ndërkombëtar nuk duhet të cenojë sovranitetin e vendit. Sipas Monnerat, Zvicra duhet të ruajë aftësinë për të përdorur në mënyrë autonome sistemet e saj, në rast se situata ndërkombëtare e kërkon një gjë të tillë.
“Kur të jetë e nevojshme, Zvicra duhet të jetë në gjendje të shkëputet nga rrjeti i përbashkët dhe të funksionojë në mënyrë të pavarur”, deklaroi ai. Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se investimi në hapësirë është pjesë e transformimit modern të ushtrive evropiane, të cilat po fokusohen gjithnjë e më shumë te teknologjitë satelitore, mbrojtja kibernetike dhe inteligjenca digjitale.
Një nga shqetësimet kryesore të ushtrisë zvicerane mbetet mungesa e satelitëve të saj për përdorime të dyfishta, civile dhe ushtarake, si sigurimi i imazheve strategjike, zbulimi elektronik dhe telekomunikacioni. Aktualisht, Zvicra varet në masë të madhe nga shtetet e tjera për këto shërbime. Pavarësisht kësaj, Monnerat nënvizoi se Zvicra posedon potencial të madh në industrinë hapësinore dhe në sektorin akademik, gjë që mund të shfrytëzohet për zhvillimin e teknologjive të reja dhe forcimin e rolit të vendit në projektet ndërkombëtare të hapësirës.
Investimi prej 850 milionë frangash konsiderohet si një nga projektet më të mëdha strategjike të ushtrisë zvicerane për dekadën e ardhshme dhe sinjalizon hyrjen e Zvicrës në një epokë të re të mbrojtjes moderne, ku hapësira po bëhet pjesë kyçe e sigurisë kombëtare, transmeton 20min.ch, përcjell heleveticALForum.ch.




