POSTIMET E FUNDIT

Ambasadori Rexhep Demiri në Lozanë: Gastronomia shqiptare bashkon diplomacinë dhe kulturën

LOZANË – Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri, mori pjesë në një mbrëmje të veçantë shqiptare të organizuar në ambientet prestigjioze të EHL në Lozanë të Zvicrës, duke dhënë një mesazh të fortë për promovimin e kulturës, gastronomisë dhe turizmit shqiptar në nivel ndërkombëtar.

Siç mëson helveticALForum.ch, aktiviteti mblodhi diplomatë, ekspertë të gastronomisë, akademikë dhe personalitete të njohura nga Zvicra dhe rajoni, në një atmosferë që promovoi traditën, mikpritjen dhe identitetin kulturor shqiptar.

Në fjalën dhe reagimin e tij pas aktivitetit, ambasadori Demiri e cilësoi pjesëmarrjen si një nder dhe kënaqësi të veçantë, duke vlerësuar mënyrën dinjitoze me të cilën Shqipëria u prezantua përmes kuzhinës tradicionale, verërave shqiptare dhe trashëgimisë së saj kulturore.

“Të martën pata nderin dhe kënaqësinë të marr pjesë në një mbrëmje të veçantë shqiptare, të organizuar në ambientet e EHL në Lozanë, një ndër institucionet më prestigjioze në botë në fushën e hotelerisë dhe turizmit”, u shpreh ambasadori Demiri.

Ai theksoi se aktiviteti përfaqësoi një mundësi të rëndësishme për të prezantuar para një audience ndërkombëtare vlerat autentike të kulturës shqiptare dhe potencialin turistik të rajonit.

Mbrëmja u organizua nga AlbChef dhe GIZ Albania, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë dhe EHL Lausanne, duke krijuar një platformë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve diplomatike, sektorit gastronomik dhe botës akademike. Një nga temat kryesore të diskutimit gjatë aktivitetit ishte turizmi i qëndrueshëm, ruajtja e biodiversitetit dhe mbrojtja e autenticitetit lokal si elemente kyçe për zhvillimin afatgjatë të turizmit në Ballkanin Perëndimor. Ambasadori Demiri vlerësoi lart angazhimin e organizatorëve dhe të gjithë kontribuuesve që punojnë për promovimin ndërkombëtar të gastronomisë dhe kulturës shqiptare.

“Suksesi i nismave të tilla jo vetëm që promovon trashëgiminë tonë të përbashkët kulturore, por gjithashtu forcon urat e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe miqësisë ndërmjet vendeve tona”, theksoi ai. Në përmbyllje, ambasadori Rexhep Demiri uroi organizatorët për organizimin dinjitoz dhe shprehu mbështetjen për iniciativa të tjera të ngjashme që synojnë afirmimin e identitetit kulturor shqiptar në arenën ndërkombëtare, transmeton helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB