Procesi i votimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare është duke vazhduar dhe do të zgjasë deri më 6 qershor. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), rreth 105 mijë shtetas të Kosovës të regjistruar jashtë vendit kanë zgjedhur të votojnë përmes postës, duke e bërë këtë formën kryesore të pjesëmarrjes së diasporës në procesin zgjedhor.
KQZ-ja ka bërë të ditur se gjatë ditëve të para të procesit janë shpërndarë pothuajse të gjitha pakot zgjedhore, të cilat përmbajnë fletëvotimet për votuesit në diasporë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se procesi po zhvillohet sipas planifikimeve dhe afateve ligjore.
“Është duke u zhvilluar periudha e votimit përmes postës, e cila vlen për rreth 105 mijë shtetas të Republikës së Kosovës që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi. Ndërkaq, qytetarët që janë regjistruar për votim fizik në përfaqësi diplomatike duhet të presin datën 6 qershor, kur do të organizohet votimi në misionet diplomatike të Kosovës”, tha Elezi.
Sipas një analize të publikuar nga organizata Germin për vitin 2025, votimi përmes postës mbetet mënyra më dominuese e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhje. Raporti vlerëson se Kosova ka bërë përparime të rëndësishme në përfshirjen e diasporës në procesin zgjedhor, sidomos pas ndryshimeve ligjore të miratuara në vitin 2023.
Përfaqësuesi i Germin, Lirim Krasniqi, tha se organizata ka kërkuar vazhdimisht zgjerimin e mundësive të votimit për diasporën.
“Përveç rritjes së mundësive të votimit, në vitin 2025 janë shënuar përmirësime edhe në procesin e regjistrimit të votuesve jashtë vendit”, theksoi Krasniqi.
Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar gatishmërinë për organizimin e procesit zgjedhor në përfaqësitë diplomatike.
Drejtori i Departamentit për Diasporën në MPJD, Elis Badalli, deklaroi se institucioni do të ofrojë mbështetje të plotë logjistike dhe njerëzore për zhvillimin e procesit pa pengesa.
“MPJD do ta ofrojë gjithë infrastrukturën, qoftë logjistike apo të burimeve njerëzore, në mënyrë që të kemi një votim pa probleme në diasporë”, u shpreh Badalli.
Votimi fizik në përfaqësitë diplomatike të Kosovës do të mbahet më 6 qershor në gjithsej 30 misione diplomatike, përfshirë 17 ambasada dhe 13 konsullata. Sipas planifikimeve, për këtë proces do të hapen 47 vendvotime, transmeton rtk.




