
Përgatiti Angela Kosta, Venecia
VENECIA, 23 maj – Në një atmosferë solemne, të mbushur me kulturë, art, vlera njerëzore dhe frymë ndërkombëtare, doktori i shkencave politike, ambasadori i paqes, presidenti i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore në Zvicër, publicisti, shkrimtari dhe veprimtari i njohur shqiptar PhD Dashnim Hebibi u nderua me një mirënjohje prestigjioze në qytetin historik të Venecias. Ky vlerësim përbën jo vetëm një sukses të rëndësishëm personal për z. Hebibi, por edhe një moment krenarie për kulturën shqiptare, për botën e letrave dhe për të gjithë krijuesit shqiptarë kudo që jetojnë dhe veprojnë. Ceremonia u zhvillua në praninë e shumë personaliteteve të njohura nga fusha e kulturës, letërsisë, diplomacisë, artit dhe jetës publike ndërkombëtare. Të pranishmit patën mundësinë të dëgjojnë mesazhe të rëndësishme mbi rolin e kulturës në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet popujve dhe promovimin e paqes në një botë që përballet çdo ditë me sfida të reja.

PhD Dashnim Hebibi është një emër i njohur në jetën intelektuale shqiptare dhe evropiane. Si President i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me seli në Cyrih, ai ka ndërtuar ndër vite ura bashkëpunimi ndërmjet studiuesve, krijuesve dhe institucioneve kulturore nga vende të ndryshme të Evropës. Veprimtaria e tij shumëdimensionale ka bërë që emri i tij të lidhet ngushtë me promovimin e kulturës shqiptare, dialogut ndërkulturor dhe mbrojtjes së vlerave universale të paqes, lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Krijimtaria e Dashnim Hebibit ka nisur që në vitet e hershme të viteve ’90. Që nga ajo kohë e deri më sot, ai ka botuar mbi 30 libra të zhanreve të ndryshme, duke përfshirë poezi, publicistikë, monografi, studime dhe ese. Veprat e tij janë lexuar dhe vlerësuar jo vetëm në hapësirën shqiptare, por edhe jashtë saj, duke u përkthyer dhe promovuar në vende të ndryshme të Evropës. Paralelisht me krijimtarinë letrare, Hebibi ka ndërtuar edhe një karrierë të gjatë e të suksesshme në gazetari. Që nga viti 1994 ai ka qenë aktiv në mediat shqiptare dhe ndërkombëtare, duke trajtuar tema që lidhen me kulturën, arsimin, historinë, të drejtat e njeriut dhe zhvillimet shoqërore. Shkrimet e tij janë karakterizuar gjithmonë nga serioziteti profesional, ndjenja e përgjegjësisë publike dhe përkushtimi ndaj së vërtetës. Një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë së tij i kushtohet Luginës së Preshevës, vendlindjes dhe burimit të frymëzimit të tij shpirtëror. Përmes poezive, eseve dhe shkrimeve të shumta, ai ka pasqyruar jetën, historinë, sfidat dhe aspiratat e shqiptarëve të kësaj treve. Lugina e Preshevës mbetet një nga temat më të dashura në krijimtarinë e tij, ndërsa shumë prej veprave të tij janë përkthyer dhe prezantuar para publikut evropian si dëshmi e pasurisë kulturore dhe shpirtërore shqiptare.

Ngjarja e 23 majit në Venecia konsiderohet si një ndër kulmet e karrierës së tij shumëvjeçare. Në mesin e personaliteteve të shumta të kulturës ndërkombëtare, PhD Dashnim Hebibi përfaqësoi me dinjitet kulturën shqiptare, duke dëshmuar edhe një herë se krijuesit shqiptarë kanë një vend të merituar në skenën kulturore evropiane.Një nga momentet më të rëndësishme të qëndrimit të tij në Venecia ishte edhe prezantimi dhe dorëzimi i librit më të ri kushtuar personalitetit të njohur të mjekësisë shqiptare, Dr. Dërgut Aliu, me titull:“Një jetë e Dr. Dërgut Aliut – Tri dekada institucion, katër dekada mision”.

Dorëzimi i këtij libri në Bibliotekën Qendrore të Venedikut u konsiderua një ngjarje me rëndësi të veçantë kulturore. Përmes kësaj vepre, autori ka dokumentuar jetën dhe kontributin e njërit prej emrave më të respektuar të mjekësisë shqiptare.Duke folur për librin, Hebibi theksoi se vepra paraqet një dëshmi të çmuar të përkushtimit profesional, etikës mjekësore dhe humanizmit që ka karakterizuar punën e Dr. Dërgut Aliut përgjatë katër dekadave. Libri dokumenton me kujdes sfidat, sukseset dhe sakrificat e një mjeku që ka shërbyer me devotshmëri në shërbim të pacientëve dhe komunitetit. Botimi i veprës përkon me dy jubile të rëndësishme: 30-vjetorin e themelimit të Spitalit “Lindja” dhe 40-vjetorin e veprimtarisë profesionale të Dr. Dërgut Aliut. Këto përvjetorë përfaqësojnë jo vetëm një histori suksesi institucional, por edhe një histori të jashtëzakonshme përkushtimi njerëzor.

Në realizimin e kësaj monografie, autori ka mbledhur dokumente, dëshmi, fotografi, intervista dhe materiale të shumta që pasqyrojnë rrugëtimin e gjatë profesional të Dr. Aliut. Libri synon të mbetet një burim frymëzimi për brezat e rinj të mjekëve dhe profesionistëve të shëndetësisë. Vlerë të veçantë ka edhe realizimi teknik dhe artistik i botimit, i cili është kryer nga Berat Thaçi në Shtëpinë Botuese “Libri Im”. Cilësia e lartë e botimit u vlerësua nga të pranishmit si një element që i shton peshë dhe dinjitet veprës. Kulmi i ceremonisë ishte fjalimi i PhD Dashnim Hebibit, i cili u prit me duartrokitje të gjata dhe me emocione të veçanta nga të pranishmit.

Në fjalën e tij ai falënderoi Presidentin Luca Filipponi, Nënkryetaren Sabrina Morelli dhe veçanërisht Angela Kosta, për kontributin e tyre në shërbim të kulturës dhe për mbështetjen që i kanë dhënë krijuesve nga vende të ndryshme të botës. Ai theksoi se arti, kultura dhe letërsia mbeten forcat më të fuqishme për të afruar popujt dhe për të ndërtuar ura mirëkuptimi. Sipas tij, në një kohë kur bota përballet me konflikte dhe ndarje, kultura mbetet gjuha universale që bashkon zemrat e njerëzve. Në fund të fjalimit, Hebibi përcolli një mesazh të fuqishëm paqeje dhe vëllazërimi. Ai bekoi Italinë dhe Zvicrën, si vende që mbështesin kulturën dhe lirinë, ndërsa me emocion të veçantë kujtoi trojet shqiptare, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën e Preshevës dhe shqiptarët në diasporë. Ai përmendi me krenari figurat madhore të kombit shqiptar, Nënë Terezën, Ismail Qemajlin dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeun, duke theksuar se trashëgimia e tyre vazhdon të frymëzojë brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Pas ceremonisë u realizuan fotografi kujtimi me pjesëmarrësit dhe personalitetet e pranishme. Atmosfera e ngrohtë dhe respekti i treguar ndaj z. Hebibi dëshmuan vlerësimin e madh që gëzon ai në qarqet kulturore ndërkombëtare.Në fund të aktivitetit, Dashnim Hebibi falënderoi me zemër Angela Kosta për mbështetjen e vazhdueshme, familjen e tij për përkrahjen e pakursyer, miqtë dhe bashkëpunëtorët kudo që ndodhen, si dhe gjithë ata që kanë besuar në rrugëtimin e tij profesional dhe krijues.
PhD. Dashnim Hebibi e përshkruan me këto fjalë:
Ky vlerësim është edhe një gëzim për të gjithë shpirtbardhët që më kanë mbështetur dhe besuar ndër vite. Nuk e kisha menduar kurrë se një ditë do të nderohesha nga italianët pikërisht në Venecia, një nga qytetet më të njohura të kulturës, artit dhe qytetërimit evropian. Për kafe, drekë apo darkë kam qenë shumë herë në këtë qytet të mrekullueshëm, por kësaj radhe vizita kishte një kuptim krejt tjetër. Të marrësh një vlerësim kaq të rëndësishëm në Venecia është një emocion i veçantë dhe një kujtim që do të mbetet përgjithmonë në jetën time. Këto mirënjohje jo vetëm që më nderuan, por edhe e pasuruan më tej rrugëtimin tim krijues, duke më dhënë forcë dhe motivim për të vazhduar me përkushtim misionin tim kulturor dhe kombëtar.

Në zemër të Venecias u nderova me çmimin prestigjioz “Luani i Venecias për Kulturë dhe Fjalën e Lirë”, nën patronazhin e Shoqatës së Venecianëve, Shoqatës Evropiane IEFO, Casa Menotti dhe nëntë shoqatave të tjera prestigjioze evropiane.
Në këtë ceremoni të veçantë morën pjesë personalitete të shquara të jetës kulturore, artistike dhe akademike nga e gjithë Italia, duke i dhënë ngjarjes një dimension të lartë ndërkombëtar. Venecia, me trashëgiminë e saj shekullore, me kanalet e famshme, pallatet madhështore dhe bibliotekat e saj të pasura, mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës evropiane. Biblioteka Marciana, një nga bibliotekat më të vjetra dhe më të rëndësishme të Italisë, ruan thesare të rralla të dijes dhe dëshmon për rolin e Venecias si urë lidhëse mes kulturave dhe qytetërimeve. Këtë çmim e pranoj me përulësi dhe krenari, por mbi të gjitha ia dedikoj nënës sime të ndjerë, Xhevahire, e cila më dhuroi vlerën më të madhe të jetës – karakterin, ndershmërinë dhe forcën për të ecur përpara në çdo rrethanë. Ia dedikoj gjithashtu babait tim, Xhelalit, i cili me punën dhe sakrificën e tij në gurbet na rriti, na edukoi dhe na mësoi vlerën e dijes, të punës dhe të dinjitetit. Mirënjohjen time të thellë ua kushtoj edhe katër vëllezërve të mi, që kanë qenë gjithmonë pjesë e pandashme e rrugëtimit tim jetësor, si dhe bashkëshortes sime, mbështetja ime më e madhe në çdo sfidë dhe arritje. Një falënderim i veçantë shkon për dy vajzat e mia dhe djalin tim, Adin, të cilët janë frymëzimi, gëzimi dhe forca ime për të vazhduar përpara.

Po ashtu, këtë vlerësim ua dedikoj edhe veprimtarëve të dalluar të mërgatës sonë, të cilët ndër vite kanë ruajtur gjallë identitetin kombëtar, gjuhën, kulturën dhe frymën shqiptare larg atdheut. Përkushtimi, sakrifica dhe kontributi i tyre kanë qenë një urë e fortë lidhëse mes vendlindjes dhe diasporës sonë në Evropë dhe më gjerë. Nuk e harroj edhe vëllaçkon tim, Jeton Arifi një personalitet i njohut dhe atdhetarë i dëshmuar! Ky vlerësim nuk është vetëm një nder personal. Ai është një mirënjohje për Luginėn e Preshevës, për kulturën tonë kombëtare dhe për zërin e shqiptarëve që vazhdon të dëgjohet e të vlerësohet në arenën evropiane. Ka ardhur koha që zëri i Mollës së Kuqe të jehojë më fuqishëm në zemër të Evropës, duke përcjellë historinë, kulturën dhe vlerat tona më të mira. Me përkushtim ndaj kulturës, identitetit dhe fjalës së lirë, do të vazhdoj të punoj që emri i Luginës së Preshevës dhe i shqiptarëve në përgjithësi të nderohet kudo ku vlerësohen dija, arti dhe dinjiteti njerëzor.

Një falënderim i veçantë shkon për komisionin vlerësues prej pesë anëtarësh për besimin dhe vlerësimin e dhënë, si dhe për shpirtbardhën Angela Kosta, e cila me përkushtimin, fisnikërinë dhe angazhimin e saj të palodhur vazhdon të japë një kontribut të çmuar në promovimin e kulturës dhe vlerave evropiane“.

Lajmi për këtë nderim u përhap me shpejtësi në mërgatën shqiptare dhe në të gjitha trojet shqiptare, ku qindra mesazhe urimi mbërritën nga intelektualë, krijues, studiues, gazetarë, miq dhe dashamirë të kulturës. Duke njohur energjinë, vullnetin dhe aktivitetin e pandërprerë të PhD Dashnim Hebibit, shumë prej bashkëpunëtorëve të tij janë të bindur se ky vlerësim nuk është fundi i një rrugëtimi, por një motivim i ri për projekte dhe suksese të ardhshme. Ai vazhdon të mbetet një nga zërat më aktivë të kulturës shqiptare në Evropë, një ambasador i denjë i paqes dhe një personalitet që me punën e tij kontribuon në promovimin e vlerave më të mira të kombit shqiptar.
(Foto Adi HEBIBI)




