POSTIMET E FUNDIT

Kurti pas takimit me kongresistët amerikanë: Bondsteel të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim virtual me kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres, Mike Lawler dhe George Latimer, me të cilët ka diskutuar për sigurinë, mbrojtjen, praninë amerikane në KFOR, aspiratat e Kosovës për NATO dhe themelimin e Xhandarmërisë. Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim virtual me kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres, Mike Lawler dhe George Latimer, të cilët javë më parë kanë paraqitur dy rezoluta për Kosovën në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.

Në takim është diskutuar për Rezolutën nr. 1246, e cila mbështet aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, si dhe për Rezolutën nr. 1250, që bën thirrje për vazhdimin e kontributit të forcave amerikane në kuadër të KFOR-it.

Kurti ka ritheksuar qëndrimin e Qeverisë së Kosovës që Camp Bondsteel të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane, duke e lidhur këtë me interesin strategjik të SHBA-së dhe NATO-s, si dhe me rritjen e sigurisë në rajon.

Ai ka folur edhe për rëndësinë e njohjes së Kosovës nga katër shtetet anëtare të NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, duke thënë se kjo do t’i hapte rrugë anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike.

Gjatë takimit, Kurti i ka informuar kongresistët edhe për hapin fillestar të ndërmarrë nga Qeveria për krijimin e Xhandarmërisë së Kosovës.

Sipas tij, Xhandarmëria synon të ndihmojë në luftimin e kontrabandës dhe terrorizmit, si dhe në mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Ai ka theksuar se ajo nuk është menduar si zëvendësim i KFOR-it, por si bashkëpunëtore e afërt me të. Kurti ka përmendur gjithashtu se Marrëveshja Kornizë për Bashkëpunim në Mbrojtje me Departamentin e Luftës të SHBA-së është në finalizim e sipër, ndërsa ka vlerësuar se bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së është “më i fortë se kurrë”.

Në fund të bisedës, Kurti dhe kongresistët amerikanë janë dakorduar që të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Postimi i plotë i Kurtit:

Bashkëpunimi bilateral në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës është më i fortë se kurrë.

Në një takim virtual dhe shumë miqësor me kongresistët Keith Self, Ritchie Torres, Mike Lawler dhe George Latimer i falënderova për dy rezoluta tejet të rëndësishme për vendin tonë: atë nr. 1246, e cila mbështet aspiratat e Republikës së Kosovës për t’u bërë pjesë e Aleancës Veri-Atlantike, dhe tjetrën nr. 1250, e cila bën thirrje që forcat amerikane të vazhdojnë të kontribuojnë në kuadër të KFOR-it.

Ritheksova qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që Bondsteel të bëhet bazë e përhershme e ushtrisë amerikane, në përmbushje të interesit strategjik të SHBA-së dhe NATO-s, por edhe për rritjen e sigurisë në rajon. Mes temash kyçe biseduam për rëndësinë e njohjes nga katër shtetet jo-njohëse anëtare të NATO-s, për Marrëveshjen Kornizë për Bashkëpunim në Mbrojtje me Departamentin e Luftës të SHBA-së dhe procesin e themelimit të Xhandarmërisë së Kosovës.

U dakorduam të vazhdojmë bashkëpunimin e ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në përputhje me vlerat e përbashkëta të Republikës së Kosovës dhe SHBA-së./BS

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB