Freiburgu do të luajë finalen e parë evropiane në histori, teksa në Stamboll do të përballet me Aston Villën në finalen e Ligës së Evropës, ku skuadra angleze konsiderohet favorite falë formës së shkëlqyer dhe eksperiencës së trajnerit Unai Emery. Skuadra gjermane vjen në këtë duel pas dy fitoreve të rëndësishme ndaj Bragës dhe Leipzigut, ku shënoi nëntë gola në tri ndeshjet e fundit. Trajneri Julian Schuster do të bëhet trajneri më i ri gjerman që drejton një finale evropiane në 24 vitet e fundit, ndërsa Freiburgu synon trofeun e parë madhor në histori dhe njëkohësisht kualifikimin historik në UEFA Champions League. Në anën tjetër, Aston Villa po kalon një formë fantastike. Anglezët mposhtën Nottingham Forestin 4-0 në gjysmëfinalen e Europa League dhe fituan 4-2 ndaj Liverpoolit në kampionat. Që nga fillimi i sezonit 2023/24, asnjë skuadër nuk ka më shumë fitore në garat madhore të UEFA-s sesa Aston Villa, me 26 triumfe.
Përvoja e Emeryt konsiderohet një nga armët kryesore të Villas. Spanjolli ka fituar katër herë këtë kompeticion dhe kjo do të jetë finalja e tij e gjashtë evropiane si trajner. Ai bëhet vetëm trajneri i dytë në histori që arrin finale evropiane me katër klube të ndryshme.
Këto dy skuadra nuk janë përballur kurrë më parë. Freiburgu ka vetëm një fitore në katër ndeshje ndaj ekipeve angleze, ndërsa Aston Villa ka rezultate pozitive ndaj skuadrave gjermane në vitet e fundit, transmeton BS.




