Prishtinë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur procesin e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, pas një periudhe aplikimi që zgjati nga 6 deri më 17 maj.
Sipas të dhënave preliminare të publikuara nga KQZ-ja, gjatë kësaj periudhe janë pranuar gjithsej 142,803 kërkesa për regjistrim përmes platformës elektronike. Nga këto, 109,696 aplikime janë aprovuar, 7,325 janë refuzuar, ndërsa 25,702 të tjera mbeten ende në proces shqyrtimi.
Forma më e preferuar e votimit nga bashkatdhetarët vazhdon të jetë votimi përmes postës. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se nga aplikimet e aprovuara, 81,901 qytetarë janë regjistruar për të pranuar pakon me fletëvotim në adresat e tyre postare jashtë Kosovës.
Ndërkohë, 2,855 votues kanë zgjedhur që fletëvotimet t’i dërgojnë në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë, ndërsa 24,940 qytetarë janë regjistruar për të votuar fizikisht në ambasada dhe konsullata.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi jashtë Kosovës do të zhvillohet para ditës së zgjedhjeve në vend. Procesi i votimit përmes postës pritet të fillojë më 25 maj dhe do të zgjasë deri më 6 qershor, ndërsa votimi fizik në përfaqësitë diplomatike do të mbahet më 6 qershor.
Për realizimin e votimit me postë, KQZ-ja ka funksionalizuar kuti postare në 23 shtete të ndryshme, përfshirë edhe Kosovën. Adresat e tyre pritet të publikohen gjatë ditëve në vijim.
Sa i përket votimit fizik, KQZ-ja do të bëjë rishikimin përfundimtar të listës së ambasadave dhe konsullatave ku do të organizohet procesi zgjedhor. Fillimisht ishte planifikuar që votimi të mbahej në 48 përfaqësi diplomatike me gjithsej 70 vendvotime.
Megjithatë, bazuar në Rregulloren Zgjedhore për Regjistrimin dhe Votimin Jashtë Kosovës, në ato përfaqësi diplomatike ku numri i votuesve të regjistruar është më i vogël se 50, votimi fizik nuk do të organizohet. Në këto raste, votuesit do të kalojnë automatikisht në votim përmes postës dhe do të njoftohen nga KQZ-ja për procedurat përkatëse, transmeton rtk.




