POSTIMET E FUNDIT

Kryeministri Rama vizitë në Korenë e Jugut, zbardhet agjenda e takimeve

Kryeministri Rama ka nisur prej së dielës (17 maj) një vizitë zyrtare në Republikën e Koresë së Jugut i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, dhe delegacioni. Vizita, e cila do të zgjasë deri më 21 maj, synon thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, si edhe zgjerimin e partneritetit, në fusha me interes të ndërsjellë për zhvillimin, teknologjinë dhe inovacionin.

Në mbërritjen e tij në Seul, Kryeministri Rama do të jetë i ftuar në një darkë mirëseardhjeje të organizuar nga Qendra për Lidershipin Aziatik dhe Klubi Harvard i Koresë, organizata të angazhuara në promovimin e lidershipit, arsimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në Azi. Në këtë aktivitet do të marrin pjesë përfaqësues të politikës, qeverisë dhe biznesit korean, ndërsa Kryeministri do të zhvillojë edhe takime me Kryeministrin e Republikës së Koresë, Kim Minseok, si dhe me CEO-n e Samsung, Lee Jae-yong.

Në ceremoninë hapëse të Konferencës prestigjioze të Lidershipit Aziatik, Kryeministri Rama do të mbajë një fjalë përshëndetëse përkrah personaliteteve të rëndësishme ndërkombëtare, mes tyre edhe Kryeministri i Koresë së Jugut Kim Minseok.

Më pas kryeministri Rama do të jetë i ftuar i veçantë në panelin me temë “Bisedë me një udhëheqës: Një epokë e transformimit të madh: strategjia e madhe e një kombi të vogël”, ku do të trajtojë sfidat e reja globale nga perspektiva e Ballkanit Perëndimor, strategjitë e vendeve të vogla përballë ndryshimeve gjeopolitike, si edhe rolin e inteligjencës artificiale dhe inovacionit digjital në qeverisje.

Axhenda e vizitës përfshin edhe një sërë takimesh me drejtues të kompanive më të mëdha koreane, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimeve në Shqipëri.

Në kuadër të vizitës, Kryeministri Rama do të marrë pjesë gjithashtu në një dialog ekskluziv me liderët e rajonit Azi-Paqësor (APAC), transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB