Më 19 maj në Prishtinë mbahet “Forumi i parë Agro-ushqimor Itali–Kosovë 2026”
Prishtina do të jetë më 19 maj nikoqire e “Forumit të parë Agro-ushqimor Itali–Kosovë 2026”, një ngjarje me rëndësi të veçantë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ndërmjet Kosovës dhe Italisë në sektorin agro-ushqimor. Forumi organizohet nën patronatin e Qeverisë së Kosovës dhe pritet të mbledhë institucione shtetërore, biznese, ekspertë dhe operatorë ekonomikë nga të dy vendet.
Qëllimi kryesor i forumit është krijimi i marrëdhënieve të qëndrueshme dhe afatgjata ndërmjet sistemit agro-ushqimor italian dhe tregut kosovar, duke ofruar një platformë konkrete për dialog, partneritet dhe shkëmbim përvojash në këtë sektor strategjik.
Kjo iniciativë është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës së Kosovës në Romë dhe Shoqatës Italiane të Kultivuesve (AIC), e cila është organizatore kryesore e forumit dhe njihet për angazhimin e saj në promovimin e zinxhirëve bujqësorë dhe produkteve “Made in Italy” në tregjet ndërkombëtare. Në organizim janë përfshirë edhe institucionet kosovare, duke e kthyer këtë forum në një hap të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe zgjerimin e bashkëpunimit tregtar mes dy vendeve.
Një rol të rëndësishëm në forum do të ketë edhe AICO, e cila do të trajtojë temat që lidhen me mbrojtjen e konsumatorit, sigurinë ushqimore dhe informimin korrekt për produktet agro-ushqimore. Në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe Doganën e Kosovës, do të diskutohen edhe mekanizmat e kontrollit për produktet hyrëse dhe eksportet, me synim garantimin e standardeve dhe cilësisë së produkteve.
Në kuadër të aktivitetit do të organizohen edhe punëtori profesionale mbi etiketimin, gjurmueshmërinë dhe përputhshmërinë me standardet rregullatore, të cilat konsiderohen elemente kyçe për eksportin e produkteve agro-ushqimore dhe për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme tregtare.
Në ceremoninë hapëse pritet të marrin pjesë përfaqësues të lartë institucionalë nga Kosova dhe Italia, përfshirë kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ministrin në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, ambasadoren e Kosovës në Itali, Nita Shala, si dhe ambasadorin italian në Kosovë, Maurizio Antonini.
Pjesë e forumit do të jetë gjithashtu edhe Nicola Caputo, këshilltar për eksport dhe ndërkombëtarizim të zinxhirit agro-ushqimor pranë Ministrisë së Jashtme të Italisë, së bashku me përfaqësues të AIC dhe ekspertë të ekonomisë e tregtisë ndërkombëtare.
Ky forum konsiderohet si një mundësi e rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Italisë, duke hapur rrugë të reja për investime, eksport dhe zhvillim të sektorit agro-ushqimor në tregjet ndërkombëtare, transmeton rtk.




