POSTIMET E FUNDIT

MJEGULLA POLITIKE DHE POPULLI I LODHUR

Nga PhD. Dashnim HEBIBI, Zürich

Kosova po hyn sërish në një cikël zgjedhjesh, rizgjedhjesh dhe “pazareve” politike që qytetarit të zakonshëm po i duken si një rreth vicioz pa fund. Populli është lodhur. Mërgata është sterlodhur. Miliona euro harxhohen për fushata, premtime boshe, sharje televizive-rrahje dhe deklarata patriotike që zgjasin vetëm deri në mbylljen e kutive të votimit.

Pastaj?

Prapë krizë. Prapë kalkulime. Prapë zgjedhje. Është bërë sikur një klasë që mbetet vazhdimisht në të njëjtin vit. Nuk ecet përpara, vetëm përsëritet i njëjti mësim politik. Në vend të zhvillimit, kemi konsum politik. Në vend të përgjegjësisë, kemi arsyetime. Populli e ka thënë moti: “Faji mbetet jetim.” Dhe në Kosovë, askush nuk jep llogari për dështimet që i kushtojnë shtetit kohë, para dhe shpresë.

Sot politika është kthyer në profesionin më fitimprurës për disa njerëz që nuk kanë ndërtuar asnjë karrierë tjetër. 

Të rinj e të vjetër janë politizuar deri në palcë. Jo sepse kanë vizion për shtetin, por sepse politika shihet si rruga më e shpejtë drejt një rroge të sigurt, privilegjeve dhe rehatisë.

A thua vallë çdo qytetar duhet të futet në politikë për të siguruar ekzistencën?

Çfarë ndodh me mjekun, profesorin, inxhinierin, shkencëtarin, sipërmarrësin?

Meritokracia po ngulfatet çdo ditë nga militantizmi partiak. Sot mjafton të veshësh kostumin, të lidhësh kravatën dhe të mësosh disa fjali të bukura si poezi para kamerave për t’u shitur si i ditur dhe i aftë. Nuk kërkohet më përgatitje profesionale, përvojë apo vizion. Mjafton bindja partiake dhe gatishmëria për t’iu përshtatur çdo petku politik sipas interesit personal.

Sot ndërrohen partitë më lehtë se bindjet. Ideologjia ka vdekur; ka mbetur vetëm interesi. Kujtohen me dhimbje fjalët e Fishtës, Konicës e Ali Asllanit, të cilët dekada më parë paralajmëronin rrezikun e njerëzve që e përdorin politikën për përfitime personale dhe jo për shërbim ndaj kombit.

Fatkeqësisht, shumë prej atyre vargjeve dhe kritikave sot tingëllojnë më aktuale se kurrë. Nga bisedat me mërgimtarë në kantonin e Cyrihut dëgjon të njëjtin zhgënjim: “Kosova po sillet në vend si rrota.” Edhe ata që dikur kishin entuziazëm, sot kanë humbur besimin se zgjedhjet do të sjellin ndryshim real. Sepse rezultatet, pak a shumë, duken të parashikueshme. Ndryshojnë emrat, por jo mentaliteti. Humbësi më i madh mbetet populli dhe vetë shteti i Kosovës. Madje krijohet përshtypja sikur askush nuk dëshiron realisht ta marrë barrën e qeverisjes, sepse problemet janë të mëdha dhe përgjegjësia është e rëndë. Është më e lehtë të bësh opozitarin patriotik sesa të japësh rezultate konkrete. Më e lehtë të bësh zhurmë sesa shtet të fuqishëm. Profili i një kandidati për deputet duhet të jetë krejt tjetër: i pastër, profesional, me integritet moral dhe i dëshmuar në jetën publike e profesionale. Postet shtetërore nuk duhet të falen për hatër të lidhjeve partiake, familjare apo klanore.

Shteti nuk është plaçkë partie.

Institucionet nuk janë strehë punësimi për militantët. Sot Kosova ka më shumë analiza televizive sesa rezultate konkrete. Çdo ditë prodhohen debate, tensione dhe interpretime politike, ndërsa qytetari përballet me pasiguri, largim të rinisë dhe mungesë perspektive. Një mjegull e madhe politike ka mbuluar vendin.

Dhe pyetja që po e bën çdo qytetar i ndershëm është: deri kur kështu?

Deri kur do të harxhohen miliona për zgjedhje të pafundme, ndërsa shkollat, spitalet dhe ekonomia mbeten peng i pazareve politike?

Deri kur do të sundojë mediokriteti mbi profesionalizmin?

Deri kur do të heshtet përballë mungesës së përgjegjësisë?

Kosova nuk ka nevojë për më shumë zhurmë. Ka nevojë për ndërgjegje, përgjegjësi dhe pjekuri politike. Përndryshe, do të vazhdojmë të sillemi në vend, ndërsa koha dhe rinia do t’i ikin këtij vendi pa kthim. Kur politika bëhet strehë e mediokritetit dhe interesit personal, shteti mbetet peng i fjalëve boshe ndërsa populli paguan çmimin e heshtjes dhe mashtrimit. Në një perspektivë më të gjerë analitike, dinamika e vazhdueshme e krizave politike dhe e proceseve të shpeshta zgjedhore në Kosovë paraqet indikator të brishtësisë institucionale dhe të deficitit të konsolidimit demokratik.

Politizimi i skajshëm i administratës dhe subordinimi i profesionalizmit ndaj lojaliteteve partiake kanë ndikuar në dobësimin e meritokracisë, në erozionin e besimit qytetar dhe në ngadalësimin e zhvillimit socio-ekonomik. Diskursi politik, i dominuar nga retorika populiste dhe polarizimi permanent, shpesh e zhvendos fokusin nga politikat substanciale drejt kalkulimeve afatshkurtra elektorale.

Në këtë kontekst, avancimi i kulturës institucionale, forcimi i mekanizmave të llogaridhënies dhe afirmimi i kompetencës profesionale mbeten parakushte esenciale për funksionalizimin efektiv të shtetit dhe për konsolidimin e demokracisë në Kosovë.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB