Në shënimin e Ditës së Martirëve në Korishë të Prizrenit, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe në nderim të viktimave të masakrës së 13 majit 1999, ku forcat e armatosura serbe vranë 77 civilë shqiptarë, ndër ta 14 fëmijë.
Me këtë rast, Kurti theksoi se krime të tilla përbëjnë dëshmi të qarta të gjenocidit që Serbia kreu në Kosovë gjatë luftës. Ai kujtoi se në mesin e viktimave kishte fëmijë, gra, burra dhe të moshuar, të vrarë pa dallim moshe apo gjinie.
Në ceremoninë përkujtimore, kryeministri në detyrë nderoi jo vetëm martirët e Korishës, por edhe civilët shqiptarë nga fshatrat Bllacë, Budakovë, Greikoc, Reshtan, Mushtisht dhe Maçitevë, të cilët humbën jetën gjatë periudhës së luftës.
Dita e Martirëve në Korishë shënohet çdo vit për të kujtuar një nga masakrat më të rënda të kryera ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, duke mbetur simbol i dhimbjes dhe kujtesës kolektive për viktimat e pafajshme, transmeton rtk.




