Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar përmbylljen e afatit ligjor për partitë politike të regjistruara që të deklarojnë pjesëmarrjen ose mospjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026, si dhe për formimin e koalicioneve parazgjedhore.
Sipas njoftimit të KQZ-së, gjatë periudhës shtatëditore nga 1 deri më 7 maj 2026, janë regjistruar gjithsej 22 parti politike që do të marrin pjesë në zgjedhje, 9 parti që kanë deklaruar mospjesëmarrjen dhe 3 koalicione zgjedhore. Në mesin e partive që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë subjektet më të mëdha politike në vend, përfshirë Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe një numër partish të komuniteteve joshumicë.
Po ashtu, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe subjekte të tjera si Partia Socialdemokrate, Fjala, Partia Balliste, Partia Liberale Egjiptiane dhe disa parti të komuniteteve rom, ashkali, turk, boshnjak dhe goran.
Ndërkohë, në listën e partive që nuk do të garojnë në këto zgjedhje përfshihen Aleanca Kosova e Re, Nisma Socialdemokrate, Partia e Drejtësisë dhe disa subjekte të tjera politike.
KQZ ka bërë të ditur gjithashtu se janë paraqitur tri koalicione parazgjedhore. Njëri prej tyre përfshin Lëvizja Vetëvendosje, Guxo, Alternativa dhe Partinë Shqiptare Demokristiane, të cilat do të garojnë së bashku nën emrin “Lëvizja VETËVENDOSJE!”.
Koalicioni tjetër është formuar nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Partia Demokratike e Ashkalinjve të Kosovës dhe Lëvizja për Bashkëveprim, ndërsa koalicioni i tretë përbëhet nga Demokratska Stranka Bošnjaka dhe Demokratska Stranka Vatan, të bashkuara nën emrin “Koalicija VAKAT”.
Pas përmbylljes së këtij afati, procesi zgjedhor hyn në fazën e verifikimit dhe certifikimit të subjekteve politike, përpara nisjes zyrtare të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, transmeton rtk.




