POSTIMET E FUNDIT

Zhvilloi provën e parë në Eurovision, Alis: Emocione trefish më të forta, ëndërr që po bëhet realitet

Alis Kallaci, fituesi i Festivalit të 64 të RTSH me këngën “Nan” ka ndarë emocionet dhe përjetimet nga prova e parë gjenerale në skenën gjigante të Eurovizionit.

Në një lidhje për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, artisti u shpreh se përjetimi në skenë ishte shumë më intensiv nga sa e kishte menduar.

“Nuk di ta shpjegoj ndryshe. Unë e kisha pritur që do përballem me emocione të forta, por gjithçka kisha menduar, kur shkela aty ishin 3-fish më të mëdha. Që në momentin që shkela në skenë, kuptova që emocionet ishin më të forta dhe ishte më bukur, më e madhe. Në momentin që shkela në skenë për provën mu duk sikur jam live. Frika nuk mund të them që do zhduket. Jam njeriu më i lumtur në botë”, u shpreh ai.

Kallaci theksoi se, megjithëse emocionet janë të forta, ato nuk e pengojnë, përkundrazi e motivojnë më shumë. “Jam njeriu më i lumtur në botë dhe mezi pres të ngjitem në skenë në natën e performancës”, tha këngëtari.

Sa i përket organizimit, ai vlerësoi maksimalisht profesionalizmin e produksionit. Sipas tij, çdo detaj është i kuruar deri në sekondë dhe nuk ka vend për gabime.

“Mua ma kishin shpjeguar më parë por kur e pash vetë, gjithçka ishte e kalkuluar dhe çdo sekondë ishte në vendin e vetë, që te pjesa e kufjeve, monitor ku në çdo moment mund të ndryshoje çdo pasiguri dhe çdo moment. Ana profesionale ishte gjithçka 10 nga 10.

Po ashtu skena, ishte e qëndisur, e kopsitur në sekondë, nga pikëpamja e produksionit televiziv dhe muzikor.

Nuk dalin nga sekondi. Aty nuk ka gabime dhe kjo më jep siguri të madhe.

Të jem i sinqertë mezi po pres të shkel në skenë në Eurosong dhe të përjetoj emocionet që kam prej 6 muajsh pritje”, theksoi ai.

Gjatë qëndrimit në Vjenë, artisti tregoi se ka ndjerë mbështetjen e bashkëkombësve. “Që në aeroport takuam shqiptarë, ndihesh si në shtëpi. Është një ndjesi shumë e bukur dhe shpresoj të marrim sa më shumë vota”, u shpreh ai.

Për këngën “Nan”, Kallaci tha se është pritur shumë mirë, si nga publiku ashtu edhe nga pjesëmarrësit e tjerë. “Duartrokitjet dhe fjalët e mira nuk kanë munguar pas çdo prove. Kjo më jep shumë kënaqësi”, shtoi ai.

Ai zbuloi edhe elementët simbolikë të skenografisë, duke veçuar një detaj domethënës që përcjellë kënga “Nan” përmes këpucëve.

“Kjo këngë të paktën në momentin që ka dalë dhe klipi ku vendosëm dhe titrat në mënyrë që dhe shtetet e tjera  të kuptojnë realisht thellësinë e këngës. Nuk mungojnë komentet dhe fjalët pasi e dëgjojnë këngën, mua më bëhet qejfi që gjithkush e përqafon këtë këngë.

Përqafimi erdhi dhe pas provës së parë. Çdo gjë është shumë teknike. Gjithsesi kënga u duartrokit dhe thonë fjalë të mira pas çdo prove. Ndjesi e bukur.

Këpucë në skenë vijnë me thirrje të fortë për mungesën e njerëzve të dashur, ka qenë qëllimi kryesor vizualisht. Jemi munduar ta tregojmë në mënyrë shumë elegante.

Ky ka qenë synimi dhe tani që e shoh mbrapa ndihem krenar për këtë vepër”, theksoi Alis.

Sa i përket garës, këngëtari tha se aktualisht fokusi mbetet tek përmirësimi teknik i performancës, ndërsa konkurrenca do të ndihet më fort në vijim. “Jemi si një klasë në ekskursion që po realizon një ëndërr”, u shpreh ai.

Edicioni i këtij viti i Eurovizionit përkon me 70-vjetorin e këtij spektakli, një moment që, sipas Kallacit, i jep edhe më shumë madhështi eksperiencës.

“Duket sikur shteti ka marrë energji, çdo gjë është e rrethuar me eurovizion. Duket sikur po mundohen që këtë lloj ëndrre për këdo ta bëjnë sa më të dukshme dhe të prekshme për këdo. Kjo na përfshin edhe ne. Ëndrra merr një dimension të mrekullueshëm. Jam mrekulluar”, përfundoi ai.

Eurovision Song Contest 2026 do të transmetohet drejtpërdrejt më 12, 14 dhe 16 maj, duke premtuar një spektakël të paharrueshëm për miliona shikues.

Këngëtari Alis do të ngjitet në skenë për të interpretuar këngën “Nan” më 14 maj, një performancë që premton thellësi vokale dhe ndjeshmëri artistike.

Publiku shqiptar do të mund ta ndjekë Eurovision Song Contest 2026 në RTSH 1, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB