Hamza hap rrugën për një proces të ri zgjedhor brenda partisë, duke kërkuar përfshirje më të madhe të të rinjve dhe theksuar se do të mbetet anëtar dhe mbështetës i PDK-së.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka njoftuar Kryesinë e partisë për dorëheqjen e tij të parevokueshme nga pozita e kryetarit, duke hapur kështu rrugën për një proces të ri zgjedhor brenda subjektit politik. Në deklarimin e tij, Hamza bëri të ditur se vendimi i tij synon t’u japë mundësi anëtarëve të PDK-së që të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm të partisë. Ai theksoi veçanërisht nevojën për përfshirje më të madhe të të rinjve në strukturat drejtuese dhe krijimin e mundësive që ata të marrin përgjegjësi politike. Duke folur për angazhimin e tij ndër vite, Hamza rikujtoi se përgjegjësitë që kishte marrë nga viti 2020, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së, i kishte konsideruar si detyrim ndaj partisë dhe Kosovës, e jo si mundësi për të ndjekur ambiciet personale. Ai përmendi kandidimin për kryetar të Mitrovicës, kandidimin tri herë radhazi për kryeministër dhe udhëheqjen e PDK-së, duke thënë se këto role i kishte marrë me synimin për t’i shërbyer subjektit politik dhe vendit.
Hamza: Po largohem nga posti, jo nga PDK-ja
Gjatë fjalës së tij, Hamza theksoi se një nga prioritetet kryesore gjatë udhëheqjes së tij kishte qenë ruajtja e unitetit të partisë, funksionimi i strukturave dhe forcimi i besimit të anëtarëve dhe votuesve.
Ai bëri të qartë se dorëheqja nuk nënkupton largimin nga PDK-ja dhe as përfundimin e angazhimit të tij politik në këtë subjekt.
“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, u shpreh Hamza.
Në përfundim të deklaratës, ai falënderoi anëtarët, strukturat partiake dhe të gjithë mbështetësit për besimin dhe përkrahjen e dhënë gjatë periudhës së udhëheqjes së tij.
Reagimi për ish-udhëheqësit e UÇK-së në Hagë
Hamza foli edhe për proceset gjyqësore ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Ai shprehu zhgënjimin e tij lidhur me vendimin ndaj tyre, duke vlerësuar se përpjekjet për drejtësi dhe zbardhjen e së vërtetës duhet të vazhdojnë. Hamza theksoi gjithashtu rëndësinë e kthimit të ish-udhëheqësve pranë familjeve të tyre dhe në Kosovë.
Interesi i partisë dhe i vendit mbi atë personal
Në fund të deklarimit, Hamza përsëriti se interesi i PDK-së dhe i Kosovës duhet të jetë gjithmonë mbi interesat individuale, duke e cilësuar angazhimin e tij në parti si një lidhje që nuk varet vetëm nga pozita drejtuese.
“Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”, përfundoi ai.
Dorëheqja e Hamzës pritet të hapë një fazë të re brenda PDK-së, në të cilën anëtarët e partisë do të kenë mundësinë të përcaktojnë udhëheqjen dhe drejtimin e ardhshëm politik të subjektit./BS










