POSTIMET E FUNDIT

Marrëveshja 6 mld dollarësh me SHBA dhe Greqinë për gazin e lëngshëm, Rama: Rritje e investimeve të reja

Kryeministri Edi Rama ka folur në podcastin e tij “Flasim” lidhur me marrëveshjen prej 6 mld dollarësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Greqinë për furnizimin e Shqipërisë me gaz të lëngshëm për 20 vite.

Kryeministri theksoi se ky investim pritet të krijojë një bazë të qëndrueshme për diversifikimin e burimeve energjetike të vendit. Kryeministri deklaroi po ashtu se do të hapet rruga edhe për investime të reja në sektorin e teknologjisë, përfshirë qendrat e të dhënave dhe programet e inteligjencës artificiale.

Një tjetër element i kësaj marrëveshjes është edhe lidhja e Vlorës me Fierin përmes një tubacioni, duke e integruar TEC-in në rrjetin rajonal të energjisë dhe duke e bërë Vlorën, sipas Ramës, një pikë të rëndësishme për shfrytëzimin dhe eksportin e gazit përmes gazsjellësit TAP.

 “Nënshkruam një marrëveshje strategjike bashkëpunimi për zhvillimin e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe furnizimin me gaz të lëngshëm natyror të Shqipërisë, në partneritet të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas investimit domethënës për plotësimin dhe transformimin e TEC-it të Vlorës, një strukturë e cila ka nevojë të plotësohet me komponent tjetër, por që ishte ndërtuar të punonte me naftë dhe do të punojë në fakt me gaz, Shqipëria do të furnizohet me gazin e lëngshëm amerikan për një periudhë 20 vjeçare dhe përmes TEC-it të Vlorës do të prodhojë energji elektrike, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për portofolin e diversifikuar të sovranitetit të saj energjetik.  Bashkë me këtë burim energjie do të rritet ndjeshëm edhe volumi i investimeve të reja, si edhe kapaciteti i Shqipërisë për të ushqyer me energji qendrat kompjuterike të të dhënave apo programet e inteligjencës artificiale, që do të përcaktojnë dekadën e ardhshme.

Vlora do të kthehet kësisoj në një nyje të rëndësishme, qoftë për shfrytëzimin, por qoftë edhe për eksportin e gazit përmes TAP-it, sepse pjesë e kësaj marrëveshje është dhe investimi për lidhjen me tubacion të Vlorës me Fierin ku ndodhet dhe gazsjellësi Transadriatik”, tha Rama.

Kryeministri do të niset për në Yerevan të Armenisë, ku mbahet Samiti i Komunitetit Politik Europian, që do të zhvillohet në datat 4-5 maj, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB