Emmenbrücke, 02.05.2026 – Sot, më 2 maj 2026, në një ditë të bukur pranvere dhe pas më shumë se një dekade ndarjeje, u shënua një moment i veçantë dhe historik për dy xhematet tona, transmeton helveticALForum.ch. Nën patronazhin e të rinjve dhe në frymën e bashkëpunimit të sinqertë ndërmjet kryesive të dy xhamive – Xhamisë Drita dhe Xhamisë Uniteti – u nënshkrua Memorandumi i Marrëveshjes së Përbashkët për organizimin e faljes së Kurban Bajramit dhe të bashpunimit të mëtutjeshëm.

Ky memorandum u nënshkrua nga kryetarët përkatës, z. Fadil Asani nga Xhamia Drita dhe z. Muhamer Baftjari nga Xhamia Uniteti, duke dëshmuar vullnetin e përbashkët për afrimin dhe bashkimin e Xhemateve tona.
Ky hap përfaqëson fillimin e një rruge të re – një rrugë bashkimi, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi të qëndrueshëm. Nga sot e tutje, angazhohemi që të vazhdojmë me organizime të përbashkëta dhe të punojmë krah për krah deri në realizimin e plotë të bashkimit të dy xhamive tona.

Me shpresë dhe besim të plotë, jemi të bindur se ky gëzim i shumëpritur është tashmë shumë pranë.
Le të jetë ky fillim i një kapitulli të ri, të mbushur me unitet, harmoni dhe begati për të gjithë besimtarët tanë, njofton Kryesia e Xhamive Drita dhe Uniteti, transmeton helveticALForum.ch.




