POSTIMET E FUNDIT

Ministrja e Jashtme e Austrisë: Mbështesim integrimin e Shqipërisë

Ministrja e Jashtme e Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, ka shprehur mbështetjen e fortë për integrimin europian të Shqipërisë, duke theksuar se procesi i zgjerimit nuk është një favor për vendet aspirante, por një investim strategjik për vetë Evropën.

Këto deklarata ajo i bëri gjatë një deklarate të përbashkët me Ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha dhe homologët çekë dhe sllovakë nga Tirana.

“Nuk po i bëjmë favor vendeve, është një nga investimet më të mençura që Evropa mund të bëjë në sigurinë dhe prosperitetin e saj. Ne kemi përfituar në shkallë masive nga zgjerimet e mëparshme, eksportet tona u zgjeruan shumë duke krijuar vende të reja pune dhe kjo do të vijojë edhe me Shqipërinë”, tha ajo.

Ministrja austriake ritheksoi mbështetjen e plotë për rrugëtimin europian të Shqipërisë, duke kërkuar vazhdimin e reformave, forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.

Në të njëjtën kohë, ajo theksoi se edhe Evropa duhet të japë rezultate konkrete dhe të mbajë premtimet e saj.

“Shqipëria ka bërë përparim domethënës në rrugën e saj drejt BE dhe me shpejtësi të plotë duhet të vazhdoni reformat dhe jemi në moment vendimtar që shumë shpejt të nisim mbylljen e kapitujve dhe ky nuk është një proces i lehtë. Ju mbështesim plotësisht në rrugëtimin tuaj europian dhe duhet të vazhdoni me reformat, me shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Në të njëjtën kohë Evropa duhet të japë rezultate dhe për këtë ne mbështesim fort integrimin gradual të Ballkanit, kjo do të thotë përparim i prekshëm për njerëzit dhe bizneset. Evropa duhet të japë rezultate, duhet të mbajmë premtimet tona”, tha ajo.

Duke folur për bashkëpunimin ekonomik, ministrja Meinl-Reisinger theksoi rëndësinë e besimit te institucionet, rregullave të drejta dhe zbatimit real të reformave në jetën e përditshme të qytetarëve.

“Austria është investuesja e 6 më e madhe në Shqipëri dhe jemi të lumtur që do të ndërtojmë në Shqipëri parkun e parë eolik që do të furnizojë energji për mijëra banesa; kjo do të hapë vende pune. Bashkëpunimi ynë ekonomik ka nevojë për besimin e institucioneve, në rregulla të drejta dhe që reformat nuk janë vetëm në letër, por njerëzit i ndjejnë në jetën e përditshme”, tha ajo, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB