POSTIMET E FUNDIT

Bashkë për kauza humanitare: u mbajt Kuvendi i 36-të i Shoqatës “Nënë Tereza

Sot u zhvillua Kuvendi i 36-të i Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza”, në një atmosferë bashkëpunimi dhe fryme të thellë humanitare.

Kuvendi u hap nga kryetari z. Nue Zalli, i cili uroi mirëseardhjen për të pranishmit: Konsullin e Republikës së Kosovës z. Vigan Berisha, donatorët, shoqatat bashkëpunuese, anëtarët, vullnetarët dhe mysafirët.

1. Raporti vjetor i veprimtarisë

Sekretari z. Xholec paraqiti një raport të detajuar të punës njëvjeçare, i ndjekur me interes dhe ndjeshmëri të veçantë nga pjesëmarrësit. Gjatë këtij viti janë realizuar 34 projekte humanitare në rajone të ndryshme si Indi, Afrikë, Evropë dhe Ballkan, duke përfshirë:

• Ndihmë për pacientë me probleme të ndryshme shëndetësore

• Projekte arsimore dhe edukative

• Projekte sociale për gra, fëmijë, jetimë dhe individë në nevojë

• Projekte kulturore (promovime, monografi, përkthime dhe vlerësim i figurave kombëtare)

2. Raporti financiar dhe transparenca

Një ndër shtyllat kryesore të Kuvendit ishte paraqitja e detajuar e buxhetit vjetor 2025 dhe draft-propozimi financiar për vitin 2026, i cili u miratua unanimisht. Raporti financiar, i prezantuar nga arkëtari z. Fadil Haxhosaj, pasqyroi transparencë, ndershmëri dhe përgjegjësi të lartë në menaxhimin e burimeve financiare.

Procesi i auditimit nga institucionet financiare zvicerane (BDO) u vlerësua maksimalisht

Ata nga ana tyre kanë çmuar punën e Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza” për përdorimin korrekt dhe të drejtë të fondeve në përputhje me nevojat dhe kërkesat e paraqitura. Njëzëri u vendos që auditimi edhe për katër vitet e ardhshëm të vazhdojë nga e njëjta strukturë.

Në këtë kuadër, u theksua nevoja për rritjen e kontributit të faktorëve shqiptarë, ndërsa një mirënjohje e veçantë iu shpreh donatorëve zviceranë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, që përbën rreth 95% të projekteve të realizuara.

3. Mirënjohje dhe vlerësime

Në shenjë falënderimi për kontributin e çmuar në veprimtarinë e Shoqatës, u ndanë mirënjohjeje për:

• Konsullin z. Vegan Berisha

• znj. Ferdinanda Kqira-Zalli

• z. Qamil Haxhosaj

• z. Samuel Rosaj

Këto vlerësime përfaqësojnë respekt dhe mirënjohje për përkushtimin e tyre në shërbim të kauzave humanitare.

4. Apel për rininë dhe angazhimin vullnetar

Një moment domethënës ishte fjala e anëtarit të Kryesisë, z. Prekë Zymi, i cili iu drejtua rinisë me një apel për përfshirje dhe frymëzim nga figura e Nënë Terezës. Siç u theksua: “Bamirësia nuk njeh moshë”, ajo fisnikëron dhe ndërton një shoqëri më të drejtë.

5. Sfidat dhe synimet për të ardhmen

Kuvendi evidentoi disa prioritete të rëndësishme:

• Rritja e përfshirjes së burimeve njerëzore

• Shtimi i kontributeve financiare nga komuniteti shqiptar për kauza humanitare

• Fuqizimi i rolit të komunitetit shqiptar në Luzern dhe më gjerë.

Kuvendi u përmbyll në një atmosferë miqësore me një Apéro, duke shërbyer si hapësirë për rrjetëzim, bashkëpunim dhe frymëzim të ndërsjellë, transmeton Shoqata Humanitare “Nënë Tereza” në Zvicër, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB