Ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja, duke e cilësuar atë si një prej figurave më të rëndësishme të mendimit dhe kulturës kombëtare shqiptare.
Mesazhi i ngushëllimit është përcjellë nga Jakup Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, përmes Bilall Sherifi. Ky i fundit bëri të ditur se e ka marrë mesazhin përmes telefonit nga Krasniqi, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Hagë.
Në telegramin e ngushëllimit, Krasniqi shpreh dhimbje të thellë për humbjen e akademikut, duke ndarë pikëllimin me familjen e tij dhe me opinionin publik shqiptar. Ai thekson se kjo humbje është ndjerë rëndë edhe nga ata që ndodhen në paraburgim, pavarësisht distancës dhe rrethanave.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj… Kjo humbje e rëndë na ka prekur thellë edhe neve,” thuhet në mesazhin e tij.
Më tej, në telegram vihet në pah rëndësia e veprës së Qosjes, e cila cilësohet si një trashëgimi e çmuar për kombin shqiptar. Sipas Krasniqit, jeta dhe kontributi i tij do të mbeten gjithmonë një udhërrëfyes për brezat e ardhshëm.
“Jeta dhe vepra e tij do të mbeten dritë udhërrëfyese dhe kujtim i paharruar… Ai do të jetojë përherë në kujtesën dhe respektin tonë dhe të kombit,” thuhet ndër të tjera.
Në përfundim të mesazhit, Krasniqi shpreh solidaritet të plotë me familjen e të ndjerit, duke theksuar se, edhe pse fizikisht larg dhe të privuar nga liria, ata ndajnë të njëjtën dhimbje me ta.
Ky reagim nga Haga dëshmon për ndikimin e thellë që akademiku Rexhep Qosja ka pasur në jetën intelektuale dhe kombëtare shqiptare, duke lënë pas një trashëgimi që do të kujtohet gjatë, transmeton rtk.




