Më 20 prill 2026, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë u zhvillua një aktivitet përkujtimor dhe reflektues mbi kontributin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Pavarësinë e Kosovës. Ky aktivitet mblodhi akademikë, diplomatë dhe studentë, duke krijuar një hapësirë të vlefshme diskutimi mbi një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së afërt kombëtare.
E ftuar nderi ishte zonja Donika Bardha, e cila foli në emër të familjes Bardha dhe ndau me të pranishmit kujtime personale dhe përvoja të drejtpërdrejta nga angazhimi i saj dhe i familjes në mbështetje të çështjes së Kosovës. Ajo theksoi rolin vendimtar të diasporës shqiptare në SHBA, duke veçuar kontributin e babait të saj, Ekrem Bardha, në lobimin pranë figurave kyçe të politikës amerikane, përfshirë takimet me kongresmenë dhe presidentë. Në rrëfimin e saj, znj. Bardha solli dëshmi konkrete mbi përpjekjet e pandërprera për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, deri në nivelet më të larta të vendimmarrjes në SHBA.
Në fjalën e tij përshëndetëse, dekani i fakultetit, Prof. Dr. Mark Marku, vlerësoi lart rolin e diasporës shqiptare në të gjitha fazat – para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Ai theksoi se mbështetja e diasporës ishte thelbësore për krijimin e aleancave strategjike, veçanërisht me SHBA-në, duke ndikuar drejtpërdrejt në arritjen e Pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, ai falënderoi znj. Bardha për dhurimin e librit të Ekrem Bardhës, “E vërteta – pavarësia e Kosovës, Amerika dhe diaspora”, si një pasuri e rëndësishme për fondin akademik të fakultetit.

Ambasadori i Kosovës, Shkëlqesia e Tij, Skënder Durmishi, në fjalën e tij vlerësoi figurën e Ekrem Bardhës si një dëshmitar dhe protagonist aktiv në proceset kyçe të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Ai nënvizoi rëndësinë e angazhimit individual dhe kolektiv të diasporës në momentet vendimtare të historisë.
Ndërkohë, Prof. Asoc. Dr. Andi Pinari u ndal në vlerat e librit të Ekrem Bardhës, duke e cilësuar atë si një dëshmi autentike dhe të gjallë të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë dhe shtetformimit. Ai theksoi rëndësinë e dokumentimit të këtyre përpjekjeve për brezat e ardhshëm dhe për studimet historike.
Gjatë aktivitetit u theksua gjithashtu roli i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetja vendimtare e NATO-s dhe SHBA-së në ndalimin e represionit serb dhe shpëtimin e popullsisë shqiptare.
Në fund, studentët patën mundësinë të angazhoheshin në një diskutim të hapur me znj. Bardha, duke bërë pyetje dhe duke reflektuar mbi sakrificat dhe përpjekjet e diasporës shqiptare. Ky bashkëbisedim solli më pranë historinë dhe e bëri atë më të prekshme për brezin e ri.
Aktiviteti u vlerësua si një kontribut i rëndësishëm në forcimin e kujtesës historike dhe në ndërgjegjësimin për rolin e pazëvendësueshëm të diasporës shqiptare në një nga arritjet më të mëdha kombëtare: Pavarësinë e Kosovës, transmeton Fakulteti i Historise dhe i Filologjisë, përcjell helveticALForum.ch.




