
Përgatiti Dashnim HEBIBI
Një ngjarje e rëndësishme që vuri në pah potencialin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut u zhvillua së fundmi në Düsseldorf, ku një panel i nivelit të lartë trajtoi temën:
“Mundësitë e investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut”.
Ky takim nuk ishte thjesht një diskutim formal, por një platformë konkrete që bashkoi politikën, diplomacinë dhe biznesin në funksion të zhvillimit ekonomik.

Paneli u organizua nga Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Gjermani, nën drejtimin e ambasadorit, Shkëlqesia e TIj, Prof.Dr. Ylber Sela, në bashkëpunim me Wirtschaftsclub Düsseldorf.
Pjesëmarrja e gjerë e biznesmenëve nga Gjermania dhe Maqedonia e Veriut, si dhe prezenca e përfaqësuesve të lartë institucionalë, i dha panelit një peshë të veçantë.

Një dimension i rëndësishëm i kësaj ngjarjeje ishte edhe përfshirja dhe interesi i diasporës shqiptare, e cila vazhdon të luajë rol kyç në ndërtimin e urave ekonomike mes vendeve.
Një nga figurat që tërhoqi vëmendjen dhe respektin e të pranishmëve ishte Filantropi Lazim Destani. I njohur për kontributin e tij të vazhdueshëm në biznes dhe filantropi, Destani u përshkrua si një personalitet që ka ruajtur me përkushtim emrin dhe arritjet e tij, duke mbetur gjithmonë modest dhe i afërt me njerëzit. Prania e tij në ngjarje të tilla shihet si një vlerë e shtuar, jo vetëm për përfaqësimin e suksesshëm të biznesit shqiptar, por edhe si frymëzim për brezat e rinj. Gjatë diskutimeve, Bekim Sali, Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër për Çështjet Europiane, theksoi përkushtimin institucional për të përmirësuar klimën e investimeve. Ai nënvizoi se reformat strukturore, siguria juridike dhe harmonizimi me standardet e Bashkimit Europian janë elemente kyçe për tërheqjen e kapitalit të huaj.
Paneli solli në fokus sektorë konkretë me potencial zhvillimi si energjia, infrastruktura, teknologjia dhe industria prodhuese. U diskutua gjithashtu për lehtësirat fiskale, mbështetjen për investitorët dhe përpjekjet për të rritur transparencën dhe efikasitetin institucional.

Ajo që e bëri këtë takim të veçantë ishte natyra e tij praktike dhe e orientuar drejt rezultateve. Dialogu i drejtpërdrejtë mes përfaqësuesve të institucioneve dhe biznesit krijoi një ambient besimi dhe bashkëpunimi, duke hapur rrugë për projekte konkrete dhe partneritete të reja. Në këtë ngjarje nga Zvicra, ishte i pranishëm edhe Florim Useini, kryetar nderi i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicrën Qëndrore.
Filantropi Lazim Destani e përshkruan me këto fjalë:
Këto ditë mora pjesë në një panel diskutimi me temë: “Mundësitë e investimeve të huaja në Maqedoninë e Veriut”. Takimi u mbajt në Dyzeldorf ndërsa u zhvillua diskutim i drejtpërdrejtë dhe strategjik mbi këtë temë që sot është kyçe për zhvillimin ekonomik dhe pozicionimin ndërkombëtar të vendit. Rëndësinë e këtij paneli e dëshmoi pjesëmarrja e një grupi biznesmenësh nga vendi ynë dhe Gjermania, por edhe prania e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministër për Çështjet Europiane, Bekim Sali, që tregon përkushtimin serioz institucional ndaj tërheqjes së investimeve të huaja dhe avancimit të agjendës europiane. Në këtë ngjarje, diskutimet nuk u kufizuan vetëm në aspektin teorik por u fol konkretisht për potencialin real ekonomik të vendit, për lehtësirat dhe reformat e ndërmarra, si dhe për nivelin e sigurisë dhe garancive që u ofrohen investitorëve të huaj.

Për mua si pjesëmarrës, ky ishte një moment i rëndësishëm për të vlerësuar nga afër se sa konkurruese është sot Maqedonia e Veriut në tregun ndërkombëtar të investimeve dhe cilët sektorë paraqesin mundësitë më të mëdha për zhvillim. Nën organizimin e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me ambasadorin Ylber Sela dhe në bashkëpunim me Wirtschaftsclub Düsseldorf, kjo ngjarje konfirmoi se dialogu i drejtpërdrejtë mes institucioneve dhe biznesit është thelbësor. Takimet e këtilla nuk janë vetëm diskutime, ato paraqesin platforma konkrete që ndërtojnë mirëbesim, krijojnë partneritete dhe hapin rrugën për investime reale dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.”
Në një kohë kur konkurrenca globale për investime është gjithnjë në rritje, roli i diasporës dhe i figurave të suksesshme si Lazim Destani bëhet edhe më i rëndësishëm.




