Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot me episodin e radhës të podkastit “Flasim”. Gjatë podkastit ai u ndal te çështja e parë, i cili foli mbi Samitin e IV të Diasporës.
Edi Rama theksoi se ky samit do të zhvillohet nesër, ku sipas tij do të mbledhë edhe një herë shqiptarët nga të gjitha anët e botës, ata që punojnë e jetojnë jashtë vendit.
“Nesër mirëpresim në Tiranë samitin e diasporës, edicioni i katërt, që mbledh edhe një herë shqiptarët nga të gjitha anët e botës, ata që punojnë e jetojnë jashtë vendit, por që sytë i kanë në Shqipëri. Sa herë u jepet mundësia, mendojnë apo vizitojnë Shqipërinë. E nisim më 13 prill me ceremoninë e mirëpritjes.
Vlerësim jo vetëm për shqiptarët që kanë kontribuar jashtë, por edhe për miqtë e tyre që kanë zgjedhur të jenë pjesë e rrugës së tyre. Diaspora është një forcë konkrete zhvillimi dhe ajo vjen për herë të parë pas një përfshirjeje historike në zgjedhjet e vendit. Ajo vjen si një hapësirë e zgjeruar e Shqipërisë përtej kufijve të saj dhe kthehet në një realitet shqiptar në transformim të vazhdueshëm. Gjithmonë si një partner i drejtpërdrejtë, tek politika, më pas te ekonomia, e hap pas hapi në rrugët e reja të dijes.
Dhe sfida jonë nuk është vetëm të mbajmë këtë lidhje në një nivel simbolik, por të strukturojmë një rrjet të tërë zemrash që rrahin për Shqipërinë anembanë dhe mendjesh që krijojnë vlerë të shtuar në një bashkëpunim që prodhon rezultate për vendin dhe jo vetëm për vetë shqiptarët, kudo që janë”, u shpreh Rama, transmeton euronewsa.




