Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij zyrtare në Londër, ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme me figura kyçe të diplomacisë, ekonomisë dhe sigurisë ndërkombëtare, duke theksuar rolin e Mbretërisë së Bashkuar si një partner strategjik për Kosovën.
Në një njoftim të bërë publik në rrjetet sociale, Kurti bëri të ditur se takimin e parë e zhvilloi me Sekretaren për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper. Ai vlerësoi marrëdhëniet e forta mes dy vendeve, duke e cilësuar Britaninë si një aleat të rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve ndërkombëtare.
Gjatë qëndrimit në Londër, kryeministri u takua gjithashtu me Presidenten e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Odile Renaud-Basso, të cilën e falënderoi për mbështetjen financiare të vazhdueshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Diskutimet u fokusuan në zgjerimin e mbështetjes për sektorin privat dhe investimet në infrastrukturë publike, përfshirë energjinë, ujin dhe transportin.
Një pjesë e rëndësishme e vizitës ishte edhe pjesëmarrja e Kurtit në një panel të organizuar nga think tank-u ODI Global, ku së bashku me ekspertë ndërkombëtarë diskutoi mbi sfidat e shtetndërtimit ekonomik dhe stabilitetin global. Në këtë panel u trajtuan çështje që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm dhe ndikimin e krizave globale në ekonomitë në zhvillim.
Në mbrëmje, Kurti mori pjesë në një darkë të organizuar nga Ministri i Shtetit për Mbrojtje, Lord Coaker, ku u diskutua bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe thellimi i partneritetit mes dy vendeve në këtë sektor.
Vizita vijoi me pjesëmarrjen e tij në London Defence Conference, ku Kurti ishte pjesë e një paneli të nivelit të lartë me përfaqësues ndërkombëtarë të sigurisë dhe politikës. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e gatishmërisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në një kohë të karakterizuar nga kriza të shumta globale.
Pas panelit, kryeministri zhvilloi një intervistë për një podcast të ardhshëm, ku foli më në detaje për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, si dhe për sfidat e sigurisë në rajon, duke përfshirë kërcënimet që burojnë nga Serbia dhe Rusia.
Vizita u përmbyll me një darkë pune me historianin e njohur Sir Noel Malcolm nga Universiteti i Oksfordit, ku u diskutua për historinë e Kosovës dhe rëndësinë e saj në kontekstin ndërkombëtar.
Kjo vizitë e Kurtit në Londër konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe në rritjen e prezencës ndërkombëtare të Kosovës në çështjet kyçe globale, transmeton rtk.




