POSTIMET E FUNDIT

Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë

Komunikatë për shtyp – Mbi zhvillimin e zgjedhjeve dhe konstituimin e organeve drejtuese të Diasporës Shqiptare në Greqi.

Athinë, 9/04/2026

Diaspora Shqiptare në Greqi, si organizatë e shkallës së tretë (Konfederatë) dhe struktura më e lartë përfaqësuese e shoqatave shqiptare në territorin e Republikës së Greqisë, njofton opinionin publik dhe bashkëatdhetarët se, më datë 29/03/2026, në Athinë, në ambientet e hotelit “Wyndham”, u zhvillua me sukses procesi zgjedhor për zgjedhjen e kryesisë së Diasporës Shqiptare, si dhe të kryetarit të saj.

Në këtë proces morën pjesë përfaqësues të autorizuar me të drejtë vote nga organizata dhe shoqata shqiptare të shkallës së parë dhe të dytë nga e gjithë Greqia. Konkretisht:

• Unioni i Shoqatave Shqiptare në Greqi,

• Lidhja e Shoqatave Shqiptare në Kretë,

• Shoqata Kulturore dhe Artistike “Lushnja” në Greqi,

• Shoqata “Emigranti” – Patra,

• Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë të Nafpaktos dhe Dhoridhas,

• Organizata e Gruas “Jeta”,

• Shoqata “Emigranti” – Velvendos, Kozani,

• Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Qefalonja”,

• Bashkimi “Delvinjot” Greqi,

• Lidhja Shqiptare në Greqi “Tirona”,

• Shoqata “Me Ju për Ju”,

• Shoqata e Pensionistëve Shqiptarë në Greqi.

Procesi zgjedhor u zhvillua në përputhje të plotë me dispozitat statutore të Konfederatës, vendimet e organeve përkatëse dhe kuadrin ligjor në fuqi, duke respektuar parimet themelore të demokracisë përfaqësuese, transparencës, barazisë së pjesëmarrjes, ligjshmërisë dhe integritetit institucional.

Punimet e Asamblesë u hapën nga Kryetari i Asamblesë së Përgjithshme të Diasporës Shqiptare në Greqi, z. Ardian Daullja, i cili paraqiti një pasqyrë të sfidave dhe arritjeve të deritanishme, duke theksuar rëndësinë strategjike të këtij procesi për konsolidimin institucional dhe rritjen e kapaciteteve përfaqësuese të Diasporës.

Në vijim, fjalën e morën përfaqësues të kryesisë së përkohshme, të cilët drejtuan Diasporën deri në zhvillimin e zgjedhjeve. Akademiku dhe intelektuali Iliaz Bobaj vlerësoi kontributin e dhënë dhe rëndësinë e procesit në funksion të forcimit të kohezionit komunitar. Z. Lulzim Cina theksoi domosdoshmërinë e unitetit dhe bashkëpunimit si elemente thelbësore për ndërtimin e strukturave të qëndrueshme dhe efektive. Z. Etmond Guri e cilësoi këtë proces si një moment me peshë historike për komunitetin shqiptar në Greqi, duke nënvizuar nivelin e lartë të përgjegjshmërisë dhe organizimit institucional të treguar.

Procesi zgjedhor u administrua nga Komisioni i Votimit, i përbërë nga z. Pëllumb Meçe (kryetar), z. Festim Zaçe dhe z. Marin Lala (Frroku), si dhe nga anëtarë të autorizuar, në praninë dhe me asistencën juridike të avokatit të Diasporës Shqiptare në Greqi, z. Vasilis Papadopoulos, duke garantuar zhvillimin e rregullt, të ligjshëm dhe transparent të të gjitha fazave të procesit.

Pas përfundimit të numërimit dhe verifikimit të rezultateve, u shpallën organet drejtuese të Diasporës Shqiptare në Greqi si vijon:

Kryesia

Kryetar: z. Etmond Guri

Nënkryetar: z. Andrea Ferizi

Sekretare e Përgjithshme: znj. Sofia Ioli Buda

Arkëtar: z. Kristo Dule

Përfaqësues për Marrëdhëniet me Median: z. Julian Haxhiu

Sekretar i Rinisë: z. Ersi Fama

Anëtarët e Kryesisë:

z. Ardian Daullja, z. Lulzim Cina, z. Engjell Alizoti, z. Klement Osmanllari, z. Flober Braholli, z. Petrit Jushi dhe z. Arjan Tollumi.

Në funksion të forcimit të mekanizmave të kontrollit dhe llogaridhënies institucionale, u konstituua edhe Komisioni i Revizionimit, i përbërë nga z. Pëllumb Meçe, z. Eulis Gjolena dhe z. Elvir Belba, i cili do të ushtrojë funksionin e mbikëqyrjes dhe auditimit të veprimtarisë financiare dhe administrative të organizatës.

Në kuadër të konsolidimit të strukturave organizative dhe rritjes së kapaciteteve funksionale, kryesia miratoi strukturat e departamenteve të Diasporës Shqiptare në Greqi, që përfshijnë fusha strategjike, ekonomike, sociale, arsimore, kulturore, juridike dhe të komunikimit publik.

Në këto struktura përfshihen:

• Departamenti për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Diasporën në Shkallë Ndërkombëtare

z. Lulzim Cina, z. Ardian Daullja dhe z. Arjan Tollumi

• Departamenti i Koordinimit të Organizatave Anëtare dhe Zgjerimit

z. Engjell Alizoti dhe z. Petrit Jushi

• Departamenti i Financave

z. Kristo Dule

• Departamenti i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes

z. Klement Osmanllari dhe z. Ardian Daullja

• Departamenti i Inovacionit, Projekteve dhe Fondeve

znj. Sofia Ioli Buda

• Departamenti i Politikave Sociale dhe Familjes

znj. Sofia Polou Tsambiri (psikologe), znj. Jeta Dashi

• Departamenti i Gruas dhe Barazisë Gjinore

znj. Iris Balli Hajdinaj, znj. Vasilika Lici, znj. Mirela Cela

• Departamenti i Pensioneve dhe Sigurimeve Shoqërore

z. Luan Abazi

• Departamenti për Arsimin dhe Gjuhën Shqipe

znj. Kristiana Veliu, znj. Boralda Petromile Papajanti, znj. Lefteri Metkaj, z. Flober Braholli, z. Vangjel Halili

• Departamenti i Kulturës, Identitetit dhe Sporteve

z. Laurent Hoxha, znj. Lindita Kulla, znj. Edlira Pani, z. Benard Veliu

• Departamenti i të Drejtave dhe Çështjeve Ligjore

znj. Ergita Piperi (avokate), znj. Juli Rexhepi (avokate), z. Andrea Ferizi

Rezultatet e këtij procesi zgjedhor pasqyrojnë vullnetin e lirë dhe demokratik të komunitetit të Diasporës, duke garantuar legjitimitetin e plotë të organeve drejtuese.

Kryesia e re angazhohet për ushtrimin e funksioneve të saj në përputhje me statutin dhe kuadrin ligjor në fuqi, me synim garantimin e funksionimit efektiv të strukturave organizative, përfaqësimin dinjitoz të interesave të bashkëatdhetarëve shqiptarë në Greqi, forcimin e rolit institucional të Diasporës dhe promovimin e të drejtave sociale, ekonomike dhe kulturore të komunitetit shqiptar.

Në këtë kuadër, riafirmohet angazhimi për ndërtimin e një Konfederate moderne, funksionale dhe të qëndrueshme, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, përgjegjshmërisë, llogaridhënies dhe bashkëpunimit institucional.

Diaspora Shqiptare në Greqi, si organizatë e shkallës së tretë e legalizuar sipas ligjeve në fuqi, është e hapur për të gjitha organizatat dhe shoqatat që veprojnë në Greqi, si dhe për qytetarët, figurat publike, intelektualët, profesionistët dhe përfaqësuesit e botës akademike e shkencore, me qëllim bashkërendimin e përpjekjeve dhe kontributin sa më efektiv në shërbim të komunitetit shqiptar. /GD

Për Diasporën Shqiptare në Greqi

Përfaqësuesi për Marrëdhëniet me Median

Julian Haxhiu

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB