Dy përballjet e fundit të çerekfinaleve në UEFA Champions League sollën emocione të mëdha dhe rezultate të rëndësishme për Atlético Madrid dhe Paris Saint-Germain, të cilat siguruan fitore bindëse në ndeshjet e para.
Në “Camp Nou”, madrilenët befasuan FC Barcelona duke triumfuar me rezultat të pastër 0:2. Ndeshja u karakterizua nga intensitet i lartë dhe përplasje të forta, por vendimtare rezultoi efikasiteti i mysafirëve dhe epërsia numerike në fushë.
Golin e parë për Atleticon e realizoi Julián Álvarez në minutën e 45-të, me një goditje të lirë të ekzekutuar në mënyrë perfekte, menjëherë pas përjashtimit të Pau Cubarsí me karton të kuq. Në pjesën e dytë, vendasit u përpoqën të riktheheshin në lojë, por pa sukses.
Ishte Alexander Sørloth ai që në minutën e 70-të vulosi fitoren e madhe të skuadrës së tij, duke e çuar rezultatin në 0:2 dhe duke heshtur publikun vendas.
Në ndeshjen tjetër, Paris Saint-Germain triumfoi me të njëjtin rezultat ndaj Liverpool FC në “Parkun e Princave”. Kampionët në fuqi e nisën ndeshjen furishëm, duke kaluar në epërsi që në minutën e 11-të me golin e Désiré Doué.
Epërsia u dyfishua në pjesën e dytë nga Khvicha Kvaratskhelia, i cili shënoi në minutën e 65-të, duke i dhënë PSG-së një avantazh të rëndësishëm për ndeshjen e kthimit.
Me këto rezultate, Atletico Madrid dhe PSG vendosen në një pozitë shumë të favorshme për të siguruar kualifikimin në gjysmëfinale, ndërsa gjithçka mbetet e hapur për ndeshjet e kthimit që pritet të zhvillohen pas një jave, transmeton rtk.




