BallinaKulturaSejmen Gjokoli, mjeshtri që e ka kthyer Vlorën në shtëpinë e kulturave...

Sejmen Gjokoli, mjeshtri që e ka kthyer Vlorën në shtëpinë e kulturave të popujve të botës

-

Nga Ramazan Çeka

Këtë shkrim ia kushtoj një personaliteti të shquar të kulturës shqiptare, “Mjeshtrit të Madh” Sejmen Gjokoli, artistit që i dhuroi Vlorës një festival me jehonë ndërkombëtare, një traditë të çmuar dhe një pikë takimi mes popujve të mbarë botës. Sejmen Gjokoli, me profesion inxhinier gjeolog, është bërë edhe një inxhinier i shpirtrave njerëzorë, duke gërmuar e zbuluar në thellësitë e tyre pasuritë e pashtershme të kulturës popullore, që nga ritet e lashta deri te trashëgimia që ruhet sot me aq pastërti e autenticitet, saqë mahnit edhe specialistë e studiues nga mbarë bota.

Ai është gjithashtu themeluesi dhe drejtuesi i Folk Grup “Bilbili” – Vlorë, një tjetër institucion kulturor me veprimtari të gjerë, ku përkushtimi ndaj folklorit, traditës dhe vlerave tona merr jetë përmes punës së palodhur artistike dhe promovimit të kësaj pasurie brenda e jashtë atdheut. Vlora është një mozaik i jashtëzakonshëm kulturor. Në shekuj, ajo ka qenë si skena gjigante e një amfiteatri që nis nga Gjiri i Vlorës e shtrihet deri në jug, atje ku Shqipëria, padrejtësisht, ka një kufi shtetëror.

Valona, Karaburuni, Pasha Limani dhe Bregu, me historinë e tyre të jashtëzakonshme, kanë qëndruar si kështjella në breg të detit, duke përballuar tallaze e furtuna, por edhe puhizat ëndërrimtare detare. Këto vise janë bërë bartëse të një pasurie të madhe të kulturës popullore dhe të kultivuar shqiptare. Vlora, ashtu si në shekuj, është edhe sot një portë e bregdetit shqiptar, aty ku bashkohen Adriatiku dhe Joni. Historikisht, ajo ka pritur e përcjellë udhëtarë, tregtarë e misionarë nga i gjithë Mesdheu e më gjerë, të cilët, krahas marrëdhënieve të interesave të ndryshme, kanë shkëmbyer edhe vlera të ndërsjella kulturore, ndër të cilat një vend të veçantë zë folklori.

Përtej bukurisë bregdetare dhe rëndësisë turistike, Vlora është kthyer në një pikëtakim kulturash, ku arti ynë bashkëbisedon me artin e botës dhe ku rrugët, sheshet e zemra e qytetit mbushen me tinguj, ngjyra e tradita të ardhura nga Evropa, Amerika, Afrika dhe vise të tjera të rruzullit. Këto fjalë për Vlorën tonë të bukur janë dëshmia më e mirë e kontributit të çmuar që Mjeshtri Sejmen Gjokoli ka dhënë ndër vite për pasurimin dhe promovimin e vlerave kulturore e folklorike të qytetit, veçanërisht përmes organizimit të përvitshëm të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit “Aulona Inter Folk”.

Edicionin e fundit, Vlora e mirëpriti sërish në maj të këtij viti, kur festivali jehoi si një festë e madhe e kulturave dhe traditave të popujve të ndryshëm, të lidhur ngushtë me emrin e vizionarit dhe mjeshtrit të palodhur, Sejmen Gjokoli. Ky aktivitet i rëndësishëm kulturor hap zyrtarisht çdo vit sezonin turistik në qytetin bregdetar.

Gjatë ditëve të festivalit, rrugët dhe sheshet gjallërohen nga ritmet e daulleve dhe ngjyrat vezulluese të kostumeve popullore, që sjellin magjinë e vendeve të ndryshme të botës. Çdo hap bëhet një valle, çdo zë një këngë e traditës dhe çdo kostum një dëshmi e historisë.

Qyteti përfshihet nga atmosfera magjike e “Aulona Inter Folk Festival”, një simfoni ngjyrash, tingujsh dhe emocionesh që kremton trashëgiminë tonë të lashtë dhe sjell në Vlorë traditat e popujve nga e gjithë bota.

Në këtë paradë mrekullish, duket sikur parakalon vetë identiteti ynë kombëtar, i gdhendur e i pikturuar ndër shekuj. Nën një qiell që kumbon nga tingujt e gjuhëve të ndryshme, Vlora dëshmon edhe një herë se kultura nuk njeh kufij. E veshur me petkun e festës, ajo shkëlqen plot dritë dhe lë gjurmë të paharrueshme në zemrën e kujtdo që ka fatin ta përjetojë këtë ngjarje.

Pas këtij festivali qëndrojnë një punë e madhe, një përkushtim i jashtëzakonshëm dhe një vizion i qartë artistik.

Për ta kuptuar më mirë këtë, mjafton të dëgjosh vlerësimet e atyre që e njohin nga afër veprimtarinë dhe përvojën e gjatë të Sejmen Gjokolit. Regjisori i mirënjohur i Radio Televizionit Shqiptar, artisti i skenës dhe ekranit, Llesh Nikolla, “Mjeshtër i Madh”, i cili gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme ka kontribuar në mbi 200 festivale, shprehet me konsideratë dhe mirënjohje për përgatitjen e skenarit dhe të platformës realizuese nga Mjeshtri Sejmen Gjokoli.

Ai vlerëson veçanërisht kujdesin e treguar për çdo detaj dhe profesionalizmin në ndërtimin e strukturës artistike, ku çdo sekondë e programit menaxhohet me përpikëri. Lleshi tregon se Sejmeni ua kishte dërguar programin të gjitha grupeve dhe ansambleve artistike tre muaj përpara festivalit. Ky fakt dëshmon seriozitetin, përgatitjen e hershme dhe organizimin profesional që kërkon një ngjarje e këtyre përmasave.

Grupet nuk mbërrijnë në çastet e fundit, por sipas një planifikimi të përcaktuar me kujdes, ku mbizotërojnë rregulli, përpikëria dhe disiplina e rreptë.

Nëse pjesëmarrja nuk konfirmohet dhe nuk miratohet të paktën dy muaj përpara, grupi nuk mund të bëhet më pjesë e aktivitetit. Po kështu, dorëzimi paraprak i projektit të programit artistik përbën kusht të domosdoshëm për pranimin në festival.

Sejmen Gjokoli i kushton një vit të tërë përgatitjes së këtij aktiviteti. Dita e ngritjes së siparit është vetëm kurorëzimi i një pune të gjatë, të kujdesshme dhe të palodhur. Përkushtimi i tij vijon pa pushim: për edicionin pasardhës ai nis të punojë që në çastin kur përfundon edicioni aktual. Në këtë proces nuk ka vend për rastësi apo improvizim.

Edhe skenari letrar që harton dëshmon vizionin krijues, përvojën e pasur dhe profesionalizmin e tij, duke pasqyruar me saktësi vlerat dhe veçoritë artistike të çdo grupi, ansambli apo pjesëmarrësi.

Nuk ke nevojë të kërkosh në rrjetet sociale, të hapësh Google apo ChatGPT për të gjetur informacion. Sejmeni i sjell të gjitha të dhënat të sakta, të verifikuara dhe të përpikta deri në sekondën e fundit, qoftë edhe për kohëzgjatjen e një numri të vetëm artistik.

Aty nuk ka vend për amatorizëm; mbizotëron profesionalizmi. Regjisori, skenografi, moderatorja dhe çdo bashkëpunëtor tjetër i kanë të gjitha të dhënat të gatshme, të qarta dhe të strukturuara. Mbetet vetëm aftësia e tyre profesionale për ta zbatuar skenarin dhe për ta sjellë atë në skenë me dinjitetin e cilësinë që meriton.

Ky nivel përgatitjeje nuk kufizohet vetëm te skenari, por shtrihet në të gjitha hallkat që bëjnë të mundur realizimin e festivalit.

Si krijues dhe pjesëmarrës në qindra veprimtari artistike në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, në disa shtete të Europës e deri në SHBA, dëshiroj të shtroj një pyetje që meriton vëmendje: cili festival në Shqipëri, e ndoshta edhe në botë, e ka të gjithë skenarin të përgatitur deri në hollësitë më të imta plot tre muaj përpara zhvillimit të tij?

Në një kohë kur organizime të tilla shpenzojnë mijëra euro e dollarë, sa prej tyre e kanë programin dhe vizionin artistik të përcaktuar kaq herët, duke lënë kohën e nevojshme për realizimin e çdo elementi në skenë?

Këto fakte flasin vetë dhe dëshmojnë përmasat e një pune të menduar e të organizuar me largpamësi. Hartimi i projektit muaj përpara, përcaktimi i hollësive artistike, planifikimi i veprimtarive dhe koordinimi i çdo etape kërkojnë përvojë, përkushtim, disiplinë dhe vizion të qartë. Pikërisht këto cilësi e veçojnë punën e Sejmen Gjokolit dhe i japin “Aulona Inter Folk Festival” identitetin, qëndrueshmërinë dhe jehonën që ka fituar ndër vite.

Standardet e festivaleve më të mira botërore kërkojnë përkujdesje të nivelit të lartë: nga posterat, ftesat e dedikuara dhe publiciteti i gjerë në rrjetet sociale, deri te hollësitë organizative, përfshirë edhe banderolat që vendosen në qytet.

Pas kësaj pune titanike qëndrojnë aftësitë, përkushtimi i palodhur dhe përgjegjësia e Mjeshtrit, i cili ndjek me vëmendje çdo hallkë organizative dhe kujdeset që secili element të jetë në lartësinë e emrit dhe prestigjit të fituar ndër vite. Ai është i pranishëm në çdo fazë: mendon, planifikon, kontrollon, korrigjon dhe ndjek deri në fund çdo hollësi që mund të ndikojë në cilësinë e festivalit.

Katër ditët e festivalit përbëjnë kulmin dhe kurorëzimin e një pune të palodhur, të cilën Sejmen Gjokoli e ndërton me përkushtim gjatë gjithë vitit. Këtu qëndron edhe një nga veçoritë e tij më të spikatura: aftësia për ta konceptuar festivalin jo vetëm si një shfaqje, por si një organizëm të tërë, ku çdo pjesë lidhet me tjetrën dhe ku asgjë nuk lihet në dorë të rastësisë.

Gjatë këtyre 18 viteve, “Aulona Inter Folk Festival” ka ndërtuar një traditë të qëndrueshme dhe ka fituar një emër të respektuar në jetën kulturore e artistike të Vlorës dhe më gjerë.

Për organizimin e kësaj ngjarjeje ngrihet një grup drejtues, i ndarë në disa sektorë pune me detyra të përcaktuara. Megjithatë, në të gjithë këtë strukturë, Sejmen Gjokoli është i pranishëm kudo, duke u kujdesur për sistemimin dhe koordinimin e grupeve artistike, si dhe për organizimin e punës me personelin e mediave televizive.

Përtej skenës dhe performancave në rrugë e sheshe, pjesëmarrësit përfshihen në një program që u jep mundësi të njohin qytetin, pasuritë e tij kulturore dhe resurset turistike.

Edhe guidat artistike përcaktohen shumë kohë përpara, me orare të sakta dhe ciceronë të posaçëm për secilin grup. Bëhet fjalë për rreth 300 artistë, të cilët janë njëkohësisht turistë, vizitorë të Vlorës dhe përfaqësues të kulturave të vendeve të tyre.

Nuk besoj se shumë guida artistike arrijnë një shkallë të tillë saktësie, largpamësie organizative dhe përpikërie, si ajo që karakterizon punën e tij. Kjo nuk është vetëm çështje menaxhimi, por edhe dëshmi e përvojës së gjatë dhe e një përkushtimi që shtrihet përtej ditëve të festivalit.

Pjesëmarrësit nuk vijnë vetëm për të ndjekur veprimtaritë, por edhe për të sjellë me vete artin, traditat dhe kulturën e vendeve të tyre. Në çdo ndalesë, ata prezantojnë programin e tyre artistik, duke e kthyer festivalin në një hapësirë të gjallë komunikimi dhe shkëmbimi kulturor.

E gjithë kjo kërkon përkushtim dhe vëmendje të vazhdueshme: nga hartimi i projekteve dhe bashkëpunimi me Bashkinë e Vlorës e Ministrinë e Kulturës, deri te pritja, akomodimi, lëvizja dhe përfshirja e grupeve në veprimtari. Në këtë proces, Sejmen Gjokoli mbetet figura kryesore që kujdeset për mbarëvajtjen e festivalit në çdo hallkë.

Ai kujdeset për festivalistët që nga dita e mbërritjes e deri në çastin e largimit, duke u hapur dyert e mikpritjes shqiptare. Për katër ditë e katër net, ata qëndrojnë në Vlorë si në shtëpinë e tyre, njohin dhe përjetojnë qytetin, kulturën dhe atmosferën e tij, duke u bërë pjesë e kësaj feste të madhe të traditave të popujve të ndryshëm.

Pikërisht këtu shfaqet madhështia e vizionit të tij. “Aulona Inter Folk Festival” i kapërcen përmasat e një aktiviteti vjetor; ai është tashmë një traditë e gjallë, një takim kulturash, një vatër ku popujt afrohen dhe një urë e fuqishme miqësie mes tyre. Për disa ditë e net, Vlora bëhet epiqendra e talentit të pashtershëm popullor, amfiteatri i manifestimit të vlerave dhe altari ku bashkohen zemrat e botës.

Suksesi i festivalit nuk matet vetëm me numra, skena, kostume apo duartrokitje. Ai dëshmohet përmes vazhdimësisë së një tradite 18-vjeçare, bashkimit të kulturave, jehonës që përcjell përtej kufijve dhe vendit që Vlora ka fituar në hartën e festivaleve ndërkombëtare të këtij niveli.

“Mjeshtri i Madh” Sejmen Gjokoli është ndër ata vizionarë që nuk mjaftohen me një ide të bukur. Ai e kthen idenë në projekt, projektin në organizim, organizimin në standard dhe standardin në traditë.

Në personalitetin e tij bashkohen vizioni krijues i artistit, mjeshtëria e drejtorit artistik dhe aftësitë organizative të drejtuesit. Falë këtij përkushtimi shumëplanësh, festivali është rritur vazhdimisht ndër vite, është konsoliduar si një veprimtari e rëndësishme kulturore dhe ka fituar një emër gjithnjë e më të spikatur në skenën folklorike ndërkombëtare.

Një tjetër vlerësim i rëndësishëm i është shtuar rrugëtimit të suksesshëm të festivalit dhe drejtuesit të tij. Në edicionin e parë të çmimeve “TEA Awards 2026”, të organizuara nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, “Aulona Inter Folk Festival” u shpall fitues i Çmimit të Parë në kategorinë e festivaleve folklorike, duke u vlerësuar mes dhjetëra veprimtarive të zhvilluara në mbarë vendin.

Vlerësimi u mbështet në të dhënat e aplikacionit TEA dhe në përvojat e vizitorëve vendas e të huaj, duke nxjerrë në pah rëndësinë e ngjarjeve që promovojnë turizmin, kulturën dhe traditat shqiptare.

Që nga krijimi i tij, festivali ka mirëpritur 125 ansamble nga 39 shtete të botës dhe ka sjellë në Vlorë 4 900 festivalistë. Përtej pjesëmarrjes artistike, këta të ftuar kanë njohur nga afër bukuritë e qytetit, pasuritë e tij kulturore dhe mikpritjen vlonjate, duke u bërë edhe ambasadorë të kësaj përvoje në vendet e tyre.

Ky çmim përbën një vlerësim për punën shumëvjeçare, vizionin dhe përkushtimin e Sejmen Gjokolit, i cili e ka kthyer festivalin në një pikë të rëndësishme takimi të kulturave dhe në një mjet të fuqishëm promovimi për Vlorën dhe Shqipërinë. Ai dëshmon se arti dhe tradita, kur shoqërohen me profesionalizëm, fitojnë vlerë jo vetëm artistike, por edhe turistike e ndërkombëtare.

Kështu, suksesi i “Aulona Inter Folk Festival” merr një tjetër dëshmi domethënëse, duke i shtuar një kapitull të ri rrugëtimit të tij 18-vjeçar, të shënuar nga emri, respekti dhe jehona përtej kufijve të Shqipërisë.

Por vizioni dhe përkushtimi i Sejmen Gjokolit për kulturën nuk njohin kufij. Këtë e dëshmon edhe pjesëmarrja e tij, si organizator i “Aulona Inter Folk Festival”, në edicionin jubilar të 25-të të “China Shanghai International Arts Festival”, nga ku është kthyer këto ditë.

Ky festival, i krijuar në Shangai 25 vjet më parë, mbledh drejtues festivalesh, delegatë dhe përfaqësues të jetës artistike nga vende të ndryshme të botës, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e bashkëpunimit kulturor në disa fusha të artit, ku një vend të rëndësishëm zë edhe folklori.

Për Sejmen Gjokolin, kjo ishte pjesëmarrja e pestë në këtë veprimtari ndërkombëtare, ku “Aulona Inter Folk Festival”, Vlorë, Shqipëri, renditet në krye të listës së pjesëmarrësve dhe aktiviteteve të prezantuara, falë edhe renditjes alfabetike të emrit të tij. Ky përfaqësim lartëson emrin e festivalit vlonjat në arenën ndërkombëtare të kulturës.

Gjatë këtij edicioni jubilar, përveç diskutimeve dhe veprimtarive artistike, pjesëmarrësit patën mundësinë të njihnin nga afër edhe pasuritë kulturore të Shangait. Përtej përvojave të këtij takimi, rëndësi të veçantë merr përfaqësimi i kulturës shqiptare dhe përcjellja e simboleve të saj në këtë mjedis ndërkombëtar.

Me mirënjohje për organizatorët dhe veçanërisht për presidentin e festivalit, z. Li Ming, Sejmen Gjokoli dhuroi disa kujtime nga Vlora bregdetare. Mes tyre, qylafi tradicional i burrave të Labërisë ngjalli një reagim të veçantë te presidenti, i cili, sipas rrëfimit të Sejmenit, mbeti pa fjalë përballë kësaj dëshmie të veçantë të trashëgimisë sonë.

Përmes këtij gjesti, tradita e Labërisë u bë pjesë e një takimi ndërkombëtar, duke përcjellë një simbol të identitetit tonë kombëtar dhe duke dëshmuar se kultura shqiptare ka vlera që meritojnë të njihen e të vlerësohen përtej kufijve të atdheut.

Kjo pjesëmarrje dëshmon vijimësinë e lidhjeve ndërkombëtare të “Aulona Inter Folk Festival” dhe përkushtimin e Sejmen Gjokolit për ta bërë Vlorën një pikë takimi të kulturave të popujve të botës.

Dhe në qendër të gjithë kësaj ndërmarrjeje të përmasave madhështore qëndron një emër: Sejmen Gjokoli, “Mjeshtër i Madh”.

Edhe unë, si autor i këtij shkrimi, ndihem sinqerisht i nderuar që jam pjesë e këtij stafi.

Sejmen Gjokoli është një nga miqtë e mi më të mirë. Përmes këtij shkrimi, i uroj nga zemra suksese e vetëm suksese në rrugëtimin e tij të mëtejshëm, në shërbim të artit, kulturës dhe traditave tona kombëtare./GD

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Fadil Berisha nderohet në Vatikan – me Certifikatën e Njohjes së...

0
Nga Beqir SINA – New York Fotografitë dhe imazhet e diasporës shqiptare në Amerikë kanë një emër, që i ka dhënë fytyrë prej dekadash, ai...