Përgatiti Dashnim HEBIBI
Bern, 6 prill 2026 – Në një ditë pushimi zyrtar në Zvicër për festën e Pashkëve, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shkëlqesia e Tij, z. Rexhep Demiri, ka zhvilluar një aktivitet të rëndësishëm në ambientet e Ambasadës në Bern, duke dëshmuar përkushtimin e tij dhe të institucionit që përfaqëson ndaj mërgatës shqiptare dhe qytetarëve të vendit të tij në Zvicër. Sipas informacioneve të publikuara nga HelveticALForum.ch, gjatë këtij takimi Ambasadori Demiri ka pritur Kryetarin e Shoqatës Kulturore “Kërçova”, z. Resul Mehmeti, së bashku me anëtarët e kryesisë së shoqatës, e cila prej vitesh zhvillon aktivitet të dendur në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare në diasporë.
Takimi është karakterizuar nga një atmosferë tejet konstruktive, miqësore dhe vëllazërore, duke reflektuar lidhjet e forta që ekzistojnë ndërmjet institucioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe komunitetit të saj në Zvicër. Në këtë kuadër, Ambasadori Demiri ka vlerësuar lart rolin dhe kontributin e shoqatave kulturore në forcimin e identitetit kombëtar dhe në ruajtjen e traditave shqiptare larg atdheut.

Në vijim, ai ka ndarë edhe një mesazh të plotë, ku theksohet qartë vizioni dhe angazhimi i Ambasadës:
“Sot pata kënaqësinë dhe nderin të zhvilloj një takim të rëndësishëm në ambientet e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër. Duke mbetur gjithmonë të përkushtuar ndaj misionit tonë institucional, Ambasada ka qenë dhe do të vazhdojë të mbetet një derë e hapur për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme dhe duke qëndruar në shërbim të tyre në çdo kohë.
Në këtë kuadër, pata kënaqësinë të mirëpres Kryetarin e Shoqatës Kulturore ‘Kërçova’, z. Resul Mehmeti, së bashku me Kryesinë e shoqatës, e cila vepron me përkushtim në Zvicër. Takimi u zhvillua në një atmosferë tejet konstruktive, miqësore dhe vëllazërore, duke dëshmuar edhe njëherë lidhjet e forta që ekzistojnë ndërmjet institucioneve tona dhe mërgatës sonë të çmuar.
Gjatë këtij takimi, shpreha mirëseardhjen time të përzemërt për përfaqësuesit e shoqatës dhe vlerësova lart angazhimin e tyre të vazhdueshëm në shërbim të komunitetit. Theksova se Ambasada mbetet plotësisht e përkushtuar për të qenë një partner i besueshëm dhe mbështetës i çdo iniciative që kontribuon në forcimin e lidhjeve mes bashkatdhetarëve dhe atdheut. Në këtë drejtim, ritheksova gatishmërinë tonë për bashkëpunim të hapur dhe të qëndrueshëm në funksion të interesave të përbashkëta.

Një vëmendje e veçantë gjatë bashkëbisedimit iu kushtua rolit të rëndësishëm që Shoqata Kulturore ‘Kërçova’ ka luajtur ndër vite në ruajtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, në kultivimin e traditave tona kombëtare, si dhe në forcimin e identitetit kulturor në diasporë. Aktivitetet e tyre përbëjnë një shembull të shkëlqyer të organizimit dhe përkushtimit të mërgatës sonë, duke kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë sonë shpirtërore dhe kombëtare larg atdheut. Me këtë rast, shpreha mirënjohjen time të sinqertë për punën dhe përkushtimin e tyre të palodhur.

Në vijim të takimit, u diskutuan në mënyrë të hapur dhe konkrete mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Ambasadës dhe shoqatës, si dhe u identifikuan fusha të reja për bashkëpunim, përfshirë organizimin e aktiviteteve kulturore, arsimore dhe promovuese, të cilat do të kontribuonin në forcimin e lidhjeve të komunitetit tonë në Zvicër dhe në avancimin e interesave të tij.
Po ashtu, u theksua rëndësia e bashkërendimit të aktiviteteve dhe projekteve të përbashkëta, me qëllim rritjen e prezencës dhe ndikimit të komunitetit tonë në jetën shoqërore dhe kulturore në Zvicër, duke promovuar njëkohësisht vlerat tona kombëtare dhe identitetin tonë.
Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër do të vazhdojë të mbetet një urë e fuqishme lidhëse ndërmjet atdheut dhe mërgatës, duke mbështetur çdo iniciativë që kontribuon në ruajtjen e identitetit tonë, në forcimin e bashkëpunimit dhe në zhvillimin e komunitetit tonë jashtë vendit.”
Ky takim dhe mesazhi i përcjellë nga Ambasadori Demiri dëshmojnë qartë për një angazhim të vazhdueshëm institucional në forcimin e lidhjeve me diasporën, si dhe në mbështetjen e iniciativave që ruajnë dhe promovojnë identitetin kombëtar në Zvicër, transmeton helveticALForum.ch.
Ja se si e përshkruan kryesia e Shoqatës “Kërçova” takimin në fjalë;
Sot, më 6 Prill, Shoqata Kulturore Kërçova – Zvicër pati nderin e veçantë të realizojë një vizitë zyrtare tek Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, z. Rexhep Demiri. Kjo vizitë u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe mikpritëse, duke reflektuar vlerat e bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë. Ishte një kënaqësi dhe privilegj i veçantë për ne që të priteshim nga një ambasador me prejardhje nga Kërçova, i cili përfaqëson me dinjitet Republikën e Maqedonisë së Veriut në Bernë.
Gjatë takimit u diskutuan tema me rëndësi për komunitetin tonë në Zvicër, forcimi i lidhjeve kulturore dhe bashkëpunimi i mëtejshëm institucional. Një moment i veçantë i kësaj vizite ishte edhe nderimi që Ambasadori z. Rexhep Demiri i bëri Shoqatës Kulturore Kërçova – Zvicër, duke na dhuruar një mirënjohje si dhe librin e tij, si shenjë respekti dhe vlerësimi për aktivitetin dhe kontributin e shoqatës sonë. Falënderojmë sinqerisht Ambasadorin për pritjen e ngrohtë, nderimin dhe gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen.
Me respekt,
Shoqata Kulturore Kërçova – Zvicër




