Rektori i Universitetit të Evropës Juglindore (UEJL), Prof. Dr. Sadudin Ibraimi, në emër të studentëve, stafit, alumnëve dhe të gjithë komunitetit të UEJL-së, i përcjell urimet më të përzemërta Prof. Dr. Justina Shiroka-Pulës për zgjedhjen e saj në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.
“Lidhja juaj e gjatë me Universitetin dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me komunitetin tonë akademik, veçanërisht me Fakultetin e Biznesit dhe Ekonomisë, përbëjnë një vlerë të veçantë për ne. Ju urojmë shumë suksese, urtësi dhe përkushtim në ushtrimin e përgjegjësisë së re, në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, shprehet Rektori i UEJL-së, Prof. Dr. Sadudin Ibraimi.
Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula ka një lidhje të veçantë dhe të gjatë me UEJL-në. Në dekadën e parë të zhvillimit akademik të Universitetit, ajo ishte pjesë e komunitetit akademik si ligjëruese. Edhe në vijim, ajo ka ruajtur një bashkëpunim të ngushtë me komunitetin akademik, Alumnin, si dhe ka kontribuuar në numrin e studentëve nga rajoni, në veçanti nga Kosova në UEJL.
Gjatë kësaj periudhe, ajo ka qenë pjesë e një bashkëpunimi më të gjerë akademik e shkencor ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në rajon, duke qenë urë lidhëse në mobilitetin e shumë akademikëve të AShAK në mësimdhënie dhe shkencë në UEJL.
Në funksionet e saj në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (AShAK), fillimisht si anëtare e Kryesisë dhe nënkryetare, e më pas si kryetare, Prof. Dr. Shiroka-Pula ka kontribuar në forcimin e lidhjeve akademike dhe shkencore në hapësirën shqiptare.
Gjatë kësaj periudhe, në AShAK u avancuan edhe lidhjet institucionale me akademikë të shquar të lidhur me UEJL-në; rektorët e mëparshëm, Akademik Prof. Dr. Abdylmenaf Bexheti u zgjodh anëtar i jashtëm i AShAK-ut në vitin 2020, ndërsa Akademik Alajdin Abazi, është anëtar i jashtëm i AShAK-ut që nga viti 2013.
Universiteti i uron Presidentes Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula suksese të veçanta në misionin për unitet gjithëkombëtar, aq të nevojshëm në një periudhë të karakterizuar nga fragmentime politike e kulturore, transmeton UEJL, përcjell helveticALforum.ch.










